Raporti paraprak i Këshillit të Europës mbi zbatimin e Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore, ka përmbysur me fakte atë që po bën Rama e qeveria shqiptare, duke zbuluar qartazi se reforma territoriale 2026 e saj synon qëllime politike dhe aspak europianizim të pushtetit lokal.
Për muaj me radhë, qeveria është përpjekur të mbajë gjallë narrativën se problemi i pushtetit vendor në Shqipëri lidhet me numrin e bashkive.
Se zgjidhja është një hartë e re territoriale, me më pak bashki, më pak qendra vendimmarrjeje dhe më shumë pushtet të përqendruar në Tiranë.
Me pak fjalë, edhe më shumë centralizim.
Përkundër qëndrimeve të Partisë Demokratike që ka insistuar tek decentralizimi funksional, administrativ dhe territorial.
Por Këshilli i Europës arrin në një përfundim krejt tjetër nga qeveria dhe është në sinkron me atë çkanë ngritur si shqetësim dhe analizë deputetët e PD në Komision dhe ekspertët e saj.
Problemi nuk është se Shqipëria ka shumë bashki. Ato duhet të jenë më shumë.
Problemi është se ato kanë shumë pak pushtet.
Ky është problemi thelbësor.
Raporti nuk e sheh reformën territoriale si një ushtrim gjeografie administrative. Ai e trajton atë si një reformë të demokracisë vendore. Dhe pikërisht këtu rrëzohet narrativa e qeverisë.
Në vend që të pranojë apo propozojë më shumë bashkime administrative, siç kërkon Rama e PS, raporti identifikon katër plagët kryesore të pushtetit vendor shqiptar. Mungesën e kompetencave reale,
financimin e pamjaftueshëm,
varësinë nga qeveria qendrore dhe dobësinë administrative.
Pra, problemi është jo se kemi më shumë bashki por sepse kemi shumë pak autonomi.
Kjo nuk është vetëm një kritikë teknike. Është një kritikë ndaj filozofisë së qeverisjes së ndërtuar gjatë këtyre viteve.
Në Shqipëri, sa herë që një bashki has vështirësi, përgjigjja e qeverisë ka qenë gjithmonë e njëjtë. I ka rrëmbyer asaj kompetencën.
Arsimi, uji, mbetjet, zhvillimi lokal, investimet, fondet, gjithçka është tërhequr gradualisht drejt qendrës. Bashkitë janë lënë shpesh vetëm me barrën e përgjegjësive, por pa instrumentet për t’i ushtruar ato.
Këshilli i Europës e thotë qartë se kjo logjikë bie ndesh me parimin e subsidiaritetit, një prej themeleve të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore. Kur një funksion mund të kryhet më mirë pranë qytetarit, ai nuk duhet të merret nga qendra. Përkundrazi, duhet t’i jepet pushtetit vendor, së bashku me burimet financiare dhe kapacitetet administrative për ta ushtruar.
Në këtë pikë, raporti përputhet pothuajse plotësisht me vizionin që Partia Demokratike ka mbrojtur gjatë gjithë debatit për reformën administrativo-territoriale.
Ne kemi argumentuar se Shqipëria nuk ka nevojë për një centralizim të ri të maskuar si reformë. Ka nevojë për një decentralizim të ri.
Kemi kërkuar që çdo ndryshim territorial të mos jetë produkt i interesave të mazhorancës, por rezultat i konsultimit me komunitetet, njësitë vendore, ekspertët dhe qytetarët.
Kemi kërkuar që reforma të mos matet me numrin e bashkive që zhduken nga harta, por me cilësinë e shërbimeve që marrin qytetarët.
Kemi propozuar rritjen e kompetencave të pushtetit vendor, forcimin e autonomisë financiare, rishikimin e formulës së grantit të pakushtëzuar, një mekanizëm të drejtë barazimi financiar dhe transferimin real të funksioneve të shoqëruara me fondet përkatëse.
Pikërisht këto janë rekomandimet që sot artikulon edhe Këshilli i Europës.
Raporti prek edhe një plagë tjetër që është bërë kronike që lidhet mënyrën e shpërndarjes së fondeve publike.
Kur raportuesit flasin për mungesë transparence dhe nevojën për kritere objektive në ndarjen e granteve, ata në fakt prekin një nga instrumentet më të forta të kontrollit politik që ka ndërtuar qeveria. Një sistem ku shpesh fondet nuk ndjekin nevojën, por bindjen politike. Ku bashkitë nuk trajtohen si institucione kushtetuese të barabarta, por si aleate ose kundërshtare të qeverisë.
Kjo nuk është vetëqeverisje vendore. Është administrim i centralizuar me ndërmjetës lokalë.
Një tjetër element me rëndësi është paralajmërimi se kapaciteti i Shqipërisë për të përthithur fondet e ardhshme të Bashkimit Evropian varet drejtpërdrejt nga forca e pushtetit vendor.
Pra, decentralizimi nuk është vetëm një standard demokratik. Është edhe një kusht zhvillimi.
Një shtet që nuk u beson bashkive të administrojnë shërbimet publike, vështirë se mund t’i bindë partnerët evropianë se është gati të administrojë miliarda euro fonde zhvillimi.
Prandaj debati për reformën territoriale nuk mund të reduktohet në pyetjen “sa bashki duhet të ketë Shqipëria?”.
Pyetja e vërtetë është krejt tjetër. Sa pushtet duhet të kenë qytetarët mbi jetën e komuniteteve të tyre?
Nëse përgjigjja është më pak pushtet lokal, më pak autonomi dhe më shumë kontroll nga qendra, atëherë nuk kemi reformë. Kemi regres.
Nëse përgjigjja është më shumë kompetenca, më shumë financa, më shumë përgjegjësi dhe më shumë llogaridhënie pranë qytetarëve, atëherë flasim për një reformë që i shërben demokracisë.
Raporti i Këshillit të Europës nuk i jep përgjigje vetëm Shqipërisë. Ai i jep përgjigje edhe debatit politik.
Europa nuk sugjeron më shumë centralizim.
Europa kërkon më shumë vetëqeverisje vendore.
Dhe pikërisht aty qëndron dallimi mes dy vizioneve. Njëri beson se çdo problem zgjidhet duke grumbulluar pushtetin në qendër.
Tjetri beson se demokracia forcohet duke ia kthyer pushtetin komuniteteve.
Në fund, zgjedhja nuk është mes më shumë apo më pak bashkive.
Zgjedhja është mes një Shqipërie që qeveriset nga qendra dhe një Shqipërie që ndërtohet nga komunitetet e saj.

