Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj i është përgjigjur publikisht deputetes Elisa Spiropali pas akuzave se kontrollohet nga Belinda Balluku. Ai e akuzon Spiropalin dhe bashkëshortin e saj për ushtrim presioni dhe intimidim ndaj punonjësve të administratës tatimore, në lidhje me kontrollet e ushtruara ndaj bizneseve familjare.
Binaj thotë se Administrata Tatimore është vendosur nën presion të paligjshëm nga deputetja dhe bashkëshorti i saj, pas kontrolleve të kryera në sektorin e ndërtimit. Ai thekson se verifikimet kanë përfshirë edhe subjekte të lidhura me Spiropalin, ndërsa rezultatet, sipas tij, nuk janë pritur mirë nga deputetja dhe bashkëshorti i saj. Binaj deklaron se si pasojë janë kërcënuar inspektorët tatimorë, madje edhe familjarët e tyre, duke shtuar se për këto raste ka fakte të verifikueshme dhe denoncime pranë organeve ligjzbatuese.
Ai bën me dije se kontrollet kanë evidentuar dyshime për evazion tatimor në përmasa të mëdha dhe se dosjet përkatëse po referohen pranë organeve kompetente për veprime të mëtejshme.
Binaj shton se akuzat e Spiropalit se ai merr urdhra nga ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku nuk qëndrojnë, pasi nuk e ka takuar kurrë personalisht, përveçse në takime publike.
“Unë jam një qytetar shqiptar që i jam përgjigjur thirrjes për t’i shërbyer vendit pas vitesh në SHBA, ku kam punuar në fushën e auditimit financiar. Nga data 23 shtator 2024, kur kam marrë telefonatën e ministrit të Financave, e deri më sot, nuk e kam takuar kurrë personalisht zonjën Belinda Balluku, përveç takimeve publike për shkak të detyrës. Sot kam vendosur të bëj këtë deklarim publik, pas një sulmi mediatik që më ka ardhur, jo për herë të parë, nga deputetja Elisa Spiropali.
Ajo që zonja deputete nuk tha, është se Administrata Tatimore e Republikës së Shqipërisë është vendosur nën një presion të paligjshëm nga deputetja në fjalë dhe bashkëshorti i saj, për llogari të bizneseve familjare. Administrata Tatimore, në funksion të mbledhjes së të ardhurave dhe luftës ndaj evazionit, ka ushtruar kontrolle në sektorin e ndërtimit, në përputhje me planet e saj strategjike dhe operacionale. Kontrollet e ushtruara, bazuar në analizën e riskut apo denoncimet e qytetarëve, kanë përfshirë edhe subjekte që lidhen me znj. Spiropali.
Rezultatet qartazi nuk janë pëlqyer nga zonja dhe bashkëshorti i saj dhe, si pasojë, janë kërcënuar inspektorët tatimorë, madje edhe familjet e tyre. Për këtë ka fakte të verifikueshme dhe denoncime në organet ligjzbatuese. Procedura është e gjitha e dokumentuar dhe gjetjet e inspektimit janë tejet shqetësuese.
Kontrollet e ushtruara kanë evidentuar dyshime të arsyeshme për evazion tatimor të përmasave të mëdha. Për këtë arsye dhe pa asnjë lloj përjashtimi diskriminues, por sipas procedurave tatimore të ndjekura me të gjithë tatimpaguesit e dyshuar për evazion, dosjet po u referohen organeve ligjzbatuese për veprime të mëtejshme. I kërkoj znj. Spiropali të mos e përmendë më emrin tim, sepse unë jam një nëpunës i ndershëm i shtetit që nuk merret me politikë dhe nuk lejoj askënd të cenojë dinjitetin tim dhe të familjes sime për shkak të detyrës.
Znj. Spiropali, si ish-drejtoreshë e Doganave, duhet ta kishte të qartë se presioni dhe intimidimi i administratës publike përbëjnë shkelje të rënda etike dhe ligjore.”- thuhet në reagim.

