Me rastin e 17 Shkurtit, Ditës së Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës përcjell urimet më të përzemërta për mbarë bashkombasit tanë shqiptar të Kosovës dhe çdo shqiptar tjetër kudo ku ata janë.
Kjo ditë e shënuar historike përbën një moment kulmor të përpjekjeve shekullore të shqiptarëve për liri, dinjitet dhe komb. Shpallja e pavarësisë së Kosovës është fryt i sakrificave të panumërta, i gjakut të dëshmorëve dhe i qëndresës së brezave të tërë që nuk reshtën kurrë së besuari në të drejtën e tyre legjitime.
Me mirënjohje të thellë përulemi para të gjithë atyre që në shekuj luftuan për pavarësi, nga kryengritjet e hershme kombëtare, te rezistenca e pandërprerë politike e ushtarake, e deri te lufta çlirimtare e UÇK-së. Sakrifica e tyre, përballë çdo përpjekje serbe, mbetet themel i shtetit të Kosovës dhe frymëzim për brezat që vijnë.
Një falënderim i veçantë u takon forcave aleate ndërkombëtare dhe vendeve mike që mbështetën çlirimin dhe shtetformimin e Kosovës, duke qëndruar në krah të së drejtës dhe paqes. Solidariteti i tyre dëshmoi se liria dhe drejtësia janë vlera universale që bashkojnë kombet e qytetëruara.
Sot, më shumë se kurrë, kërkohet angazhimi i përgjegjshëm i çdo faktori politik, institucional dhe shoqëror shqiptar në Kosovë, në Shqipëri dhe në mbarë hapësirën kombëtare për forcimin e sovranitetit, zhvillimin ekonomik dhe integrimin euroatlantik. Bashkëpunimi dhe koordinimi i ynë strategjik janë domosdoshmëri për të ardhmen tonë në çdo sfidë dhe në çdo angazhim tonin drejt bashkimit tonë kombëtar.
Integrimi dhe bashkimi kombëtar nuk janë kundër askujt, përkundrazi, ato janë garanci për stabilitet, siguri dhe paqe e qëndrueshme në rajon. Një komb i konsoliduar në të drejtat e veta është faktor paqeje dhe partner i besueshëm ndërkombëtar.
Lavdi të rënëve për liri!
Gëzuar Pavarësinë e Kosovës! 🇦🇱

