Kryeministri Edi Rama u shpreh se prej viteve 1990 nuk e ndjek më Radio Televizionin Publik Shqiptar, por nga zyra e tij përbri Kopshtit të Edenit e sheh shumë mirë lokacionin e lakmueshëm të godinës së RTSH-së, të cilën ka vendosur ta bëjë kurban me “Manualin e Teatrit Kombëtar”.
Shkrirjen dhe mbylljen e RTSH-së e njoftoi pikërisht në ditën kur Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë paralajmëroi qeverinë shqiptare të ndalë urgjentisht bekimet dhe lehtësirat për pastrimin e parave të narkotrafikut në ekonomi.
Mesa duket, Edi Rama ka më shumë frikë nga paralajmërimet e karteleve të drogës, të cilave u ka premtuar pastrimin e parave në kulla dhe investime strategjike, dhe kurbani i radhës, mesa duket, do të jetë godina e Radio Televizionit Publik Shqiptar, institucion që është pjesë e rëndësishme e historisë dhe memories sonë kolektive.
Para pak muajsh, The Sun ngriti alarmin se një grup i strukturuar kriminelësh, i përfshirë në trafik kokaine në Angli, po pastronte para në ndërtim 500 metra larg zyrës së Ramës, teksa me kullat e reja në territorin e RTSH-së, de facto kriminelët do pastrojnë para as 100 metra larg zyrës së Ramës, me firmën e vetë Ramës.
Buxheti i Radio Televizionit Publik Shqiptar (RTSH) ndryshon çdo vit, por përgjithësisht lëviz rreth 2.9–3.0 miliardë lekë, me burime financimi kryesisht nga buxheti i shtetit, pasi shqiptarëve u vilen taksa e televizorit që paguhet nga abonentët e energjisë elektrike, ndërsa pjesa tjetër e financimit vjen kryesisht nga reklamat.
Me një përllogaritje të thjeshtë, RTSH nga viti 2013 e deri tani shqiptarëve u ka kushtuar rreth 400 milionë euro, aq sa inceneratorët që nuk ekzistojnë.
Me kaq para brenda një dekade mund të ishte ndërtuar një media moderne që do të tërhiqte audiencë, do t’i shërbente publikut dhe do të mund të gjeneronte miliona lekë të ardhura, por RTSH u drejtua me frymën e Edi Ramës, që ka në themel plaçkitjen dhe babëzinë.
Me manualin e Aleancës për Teatrin duhet të ngrihet urgjentisht Aleanca për RTSH, që të mbrojë interesin e këtij institucioni që mbahet me taksat tona të përbashkëta.
SPAK duhet të avancojë lidhur me direktivën e Ambasadës së SHBA-së për luftën kundër pastrimit të parave të pista në ndërtim, sepse nuk është e largët dita kur do të shemben edhe kishat e xhamitë për të ndërtuar kulla.
Në 24 Janar është koha që shqiptarët të marrin në dorë fatet e vendit dhe t’i tregojnë se zot në këtë vend është vetëm populli!

