Në gjethet e trembura të vjeshtës së tretë,
me bojë pikëllimi ndër duar
nga shtrydhja e myshkut që dergjet harresës,
në puthjen me tokën të një shelgu lotues;
për ty shkrova e dashur.
Sytë t’i vizatova në hijen e thellë të hirit
që la agonia vjeshtore,
me xixat që i arratiseshin tymit gri;
u dhashë dritë hyjnore.
Vjeshta lehtësuar nga pesha e diellit,
mbulohet me një perëndim të thyer nga pesha e ikjeve.
Dy gjethe mështekne,
pelegrinët e fundit të dashurisë,
do të udhëtojnë në stinën e mjegullës,
deri në qoshen e dhomës ku
ti rri vetëm me vetminë
dhe psherëtima jote…
një shkrepse që ndez dy zjarre të fikur.
Historia jonë do të tretet
në magmën e beharit që shkoi,
do të gdhendet në rërën e baticave dimërore,
do të ngrohë duart e ditëve të pafajshme,
si robina të bardhësisë së dëborës.

