22 Nëntori 1908 – ngjarja ku u vendos që gjuha shqipe të shkruhej me alfabetin latin, e mbështetur fort nga shoqëria ‘Bashkimi’, Shkodër dhe Gjergj Fishta, i cili theksonte idenë se nuk do të mbroj asnjë nga alfabetet, por do të mbroj një alfabet të përbashkët.
Është ngjarje thelbësore, që orientoi përfundimisht Shqipërinë drejt oksidentit – siç thoshte Patër Fishta, nënkryetar i Kongresit – dhe u bë një prej gurëve themel të identitetit shqiptar. Një identitet kulturor sendërtuar me shkrimin e shqipes qysh prej Buzukut, Budit, Bardhit e Bogdanit dhe në vijim.
Në vështrim kulturor, deri në Kongresin e Manastirit shkrimet tona karakterizoheshin nga gjurmë identitare të tri perandorive më të fuqishme të kohës:
-Tradita latine me autorët e hershëm me qendër Shkodrën, nga Buzuku, Budi, Bogdani, që shkruan shqip me alfabet latin, si një jehonë e drejtpërdrejtë e trashëgimisë romake. (Bardhi dhe Barleti krijuan në latinisht, duke dëshmuar lidhjen tonë të hershme me Perëndimin.)
– Tradita arbëreshe që përbëhej nga shqiptarë të shpërngulur nga trungu amë pas vdekjes së Skënderbeut e të vendosur në Italinë e Jugut, të cilët rujatën gjuhën, religjionin e zakonet e të parëve.
L. Matranga, J. Variboba etj. janë emra të rëndësishëm të shek. XVI-XVIII që krijuan me një vullnet të qartë kulturor për ruajtjen e fesë së krishterë dhe të gjuhës amtare dhe shkrujatën me alfabet latin.
– Tradita osmane u krijua nga poetë të mjediseve myslimane, të njohur si bejtexhinj, që krijuan me alfabet arab, pers ose turk, si: Muhamet Kyçyku, Nezim Berati, Sulejman Naibi e shumë të tjerë. Të formuar në medrese e mejtepe, krijimtaria e tyre shfaqte ndikimin e thellë të Perandorisë Osmane në kulturën e kohës dhe karakterizohej nga fryma filokuranike.
– Në jug të vendit, sidomos rreth Akademisë së famshme të Voskopojës, perandoria helene linte gjurmët e traditës së saj në përdorimin e alfabetit grek për shkrime kulturore si dhe shërbesa fetare, duke synuar forcimin e frymës fanariote. Janë të njohura këtu përpjekjet e krijimit të alfabetit te gjuhës sonë dhe derdhja gërmat shqipe që shkonin në kundërshtim me përhapjen e frymës helene.
Vepra e autorëve të Akademisë së Voskopojës, si: T. Kavaljoti, Dh. Todri, T. Haxhifilipi etj. ashtu si ajo personaliteteve të Shkodrës ishte filobiblike.
Në këtë vend të vogël gjeografikisht, tri perandori të mëdha rrënjosën gjuhë e fe që formësuan shtresëzimet tona identitare.
Kështu, në këtë peizazh të shumëfishtë kulturor, në shek. XIX lindi letërsia jonë moderne me vetëdijen e poetëve rilindës, (De Rada, Z. Skiroi, N. Frashëri, P. Vasa etj.) për vlerën e shqipes si njësi e vetme unifikuese, që ngrihej përmbi çdo përkatësi krahinore, fetare a perandorake – ndaj në Manastir gjuha rilindi prej vetes, për të rilindur kulturën, kujtesën dhe kombin shqiptar.
Pikërisht për këtë arsye, ngjarja e Manastirit, 117 vjet më parë, merr një rëndësi të jashtëzakonshme- ajo shënon kthesën kulturore drejt Perëndimit.
Vitet e turbullta që po jetojmë, midis përpjekjeve për cënim, fshirje apo relativizim të veprave dhe simboleve tona identitare – fenomen tipik i Cancel Culture – 22 Nëntori nuk duhet parë vetëm si datë përkujtimi, por si një thirrje për të mbrojtur themelet e kombit, çdo gur të mozaikut tonë të larmishëm, çdo gjurmë që përfaqëson Nënën Shqipëri.


