‘52% e forcimit të lekut është e pajustifikuar’, deklaroi deputeti i PD-së, Eno Bozdo, gjatë prezantimit të analizës së Departamentit të Ekonomisë të Partisë Demokratike mbi rënien e euros, duke akuzuar se faktorët ekonomikë zyrtarë nuk shpjegojnë zhvlerësimin e monedhës europiane.
Sipas përllogaritjeve të ekspertëve të PD-së, në periudhën 2016–2025 në ekonominë shqiptare kanë hyrë rreth 19 miliardë euro të pajustifikuara, ndërsa shifra, duke përfshirë edhe 2026-n, vlerësohet në rreth 24 miliardë euro, të cilat, sipas tyre, vijnë nga burime të paligjshme.
Bozdo tha se analiza, e mbështetur në mbi 60 dokumente dhe 26 seri kohore të të dhënave nga institucionet shqiptare dhe ndërkombëtare, nxjerr në pah se produktiviteti, turizmi, investimet e huaja dhe faktorë të tjerë zyrtarë nuk justifikojnë rënien e fortë të euros. Ai e cilësoi këtë zhvillim si një fenomen të pazakontë, që po dëmton prodhuesit, eksportuesit, fermerët dhe ekonominë shqiptare.

