Në samitin e BE me Ballkanin Perendimor që mbahet në Bruksel, edhe një herë Edi Rama i ka vënë Shqipërisë damkën e korrupsionit, pasi është pyetur në këtë forum të lartë pikërisht për Belinda Ballukun. Një çështje e përmendur edhe në raportin e progresit, e paralajmëruar herët edhe nga McAllister, se do të ishte një test kritik për vendin tonë.
Nuk ka asnjë dyshim, se nëse Edi Rama do të kishte votuar kërkesën e SPAK për bashkëpunëtoren e tij të ngushtë, rasti Balluku nuk do t’i përmendej atij as sonte në Bruksel.
Mbrojtja që ai i bëri korrupsionit, imuniteti që i dha Ballukut me 82 vota, dukshëm është sot pengesë për Shqipërinë, kosto për integrimin. Dhe kjo është drejtpërdrejtë vepër e Edi Ramës.
Është ai përgjegjës, pse sa herë është Shqipëria në tryezë, ka një rrudhje buzësh në Bruksel, ka një shqetësim, dhe pyetja që bëhet është: Po Belinda Balluku?!
Pastaj, dokrrat e Edi Ramës që korrupsioni po luftohet se sistemi po funksionon, janë përralla me të cilat askush nuk humb kohë. Janë aktet që vlejnë, janë aktet që vendosen në peshore.
E pikërisht për këto akte e kishte fjalën sot edhe ambasadori amerikan në Tiranë, në mesazhin që i drejtoi strukturave të posaçme anti korrupsion, kur i ftoi të veprojnë pasi provat për korrupsionin qeveritar ekzistojnë dhe ato mund të gjenden.
Madje, janë në serverat amerikanë, dhe SPAK duhet thjesht t’i kërkojë.

