Debati për taksimin e pronës dhe të banesave bosh nuk duhet reduktuar në një çështje ideologjike. Do të ishte vërtet një zbulim politik me përmasa historike, po të mos ishte fakti se me të majtën qeveria socialiste nuk ka pasur ndonjëherë ndonjë lidhje të veçantë!
Ky debat duhet parë në një kontekst shumë më të gjerë: atë të një ekonomie ku ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme po thithin një pjesë gjithnjë e më të madhe të kapitalit, investimeve dhe kreditimit, ndërkohë që sektorët që duhet të garantojnë zhvillimin afatgjatë mbeten shumë të dobët.
Të dhënat për peshën e ndërtimit në ekonominë shqiptare tregojnë një prirje që meriton vëmendje. Pesha e sektorit në PBB është rritur nga rreth 9.5% në vitin 2021, në 11.2% në vitin 2022 dhe 11.65% në vitin 2023, duke iu afruar 12.6% në vitin 2025.
Ndërsa ritmi i rritjes së sektorit ka qenë në disa vite dukshëm më i lartë se ritmi i rritjes së përgjithshme të ekonomisë, zgjerimi i tij nuk duket se është mbështetur vetëm në kërkesën reale. Ndërtimi është bërë një nga destinacionet më të lehta për kapitalin privat, në një ekonomi e cila nuk arrin të zhvillojë sektorë të tjerë me produktivitet dhe potencial eksportues. Në këtë rast, nuk kemi thjesht një sektor që po rritet shpejt. Kemi një treg ku çmimet rriten megjithë ofertën e bollshme edhe apartamentet mbeten bosh. Shkurt kemi një ekonomi që ka përqendruar burimet e saj në një model zhvillimi ku ndërtimi dhe rritja e vlerës së pronave marrin përparësi ndaj prodhimit, inovacionit dhe krijimit të vlerës së shtuar. Ose, thënë më thjesht, një ekonomi ku apartamenti është bërë investim më tërheqës se fabrika. Të dhënat e kreditimit po ashtu tregojnë një zgjerim të financimit për ndërtimet e reja dhe një rritje të ekspozimit financiar ndaj pasurive të paluajtshme.
Në ndërtim është krijuar një cikël vetëpërforcues: rritja e çmimeve të pronave nxit pritshmëritë për fitime të mëtejshme; këto pritshmëri tërheqin investitorë të rinj; kërkesa për financim rritet; bankat ekspozohen gjithnjë e më shumë ndaj të njëjtit sektor dhe kapitali largohet nga mundësi të tjera investimi. Edhe vetë Kryeministri Edi Rama ka nxitur këtë cikël kur deklaronte se çmimet e pronave dhe apartamenteve në Shqipëri do të rriten me dy herë (2-fish) kur vendi të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
Po a mundet një qeveri, përmes politikës fiskale, të korrigjojë një model ekonomik të ndërtuar edhe ushqyer nga vetë ajo ,ku burimet orientohen gjithnjë e më shumë drejt akumulimit të pasurive të paluajtshme dhe gjithnjë e më pak drejt aktiviteteve prodhuese?
Një taksë periodike mbi pronën, e bazuar në vlerën reale të saj, apo një taksë për mospërdorimin , do të rrisnin koston e mbajtjes së pasurisë duke ulur leverdishmërinë e mbajtjes pasive të kapitalit në pasuri të paluajtshme. Ndaj edhe pse të veshura me petkun e taksës progresive në fakt taksat që priten të vendosen mbi pasuritë e paluajtshme duhen parë si instrumente , që mund të ndihmojë në ftohjen e një tregu që po mbinxehet tepër dhe në korrigjimin e stimujve që e kanë ushqyer atë.
Por të mos harrojmë se vendosja e një takse mbi pasurinë apo mbi banesat bosh nuk mjafton për të adresuar çekuilibrin ekonomik, nëse nuk krijohen alternativa të tjera për kapitalin. Pra, edhe pse me anë të këtyre taksave rrisim koston e investimit në pasuri të paluajtshme, kjo nuk do të thotë automatikisht se kapitali do të shkojë drejt prodhimit. Nuk ka ndonjë ligj ekonomik që thotë se, sapo të taksohet apartamenti, investitori do të zgjohet të nesërmen me dëshirën për të hapur një fabrikë!
Për këtë duhet të krijohen kushte që investimi në industri, agropërpunim, teknologji, inovacion dhe eksporte të ofrojë perspektivë të qëndrueshme dhe kthim ekonomik tërheqës. Përndryshe, kapitali mund të zhvendoset drejt sektorëve të tjerë po aq joproduktivë ose thjesht të presë mundësi të reja spekulimi.
Politikat zhvillimore , janë detyra më e vështirë për një qeveri, edhe qeveritë e Ramës gjithmonë kanë dështuar. Këtu kërkohen strategji zhvillimi që shkojnë përtej politikës fiskale: institucione më të parashikueshme, konkurrencë reale, infrastrukturë, arsim profesional, akses në financim për bizneset prodhuese dhe një klimë ku investimi afatgjatë të mos penalizohet nga pasiguria dhe pengesat strukturore.
Ndaj qeveria edhe kësaj here bëri atë që di të bej më mirë ” gjeti zgjidhje të shpejtë , të thjeshtë edhe dembele . Ka vendosur të taksojë çekuilibrin që vetë ka lejuar edhe ka ushqyer.
Kapitalin që me vetëdije e la të përqendrohej te ndërtimi, pa i ofruar alternativa më produktive, tani kërkon ta largojë nga ndërtimi me taksa. Fundja, a nuk është më e lehtë të taksosh pasojat e një modeli të gabuar duke ja shitur një populli të varfër si luftë kundër të pasurve sesa të lodhesh të ndërtuar një model tjetër ?
Më duhet ta pranoj, kjo është mënyrë origjinale për të pranuar dështimin e politikës ekonomike pa e quajtur dështim.


