Beqir Sina – New York
Sipas komunitetit shqiptar në Jacksonville, familja kishte pesë fëmijë. Nëna kishte lindur dy herë binjakë. Prindërit, fëmija 9-vjeçar dhe bebeja 2-muajshe po luftojnë për jetën.
Një tragjedi e rëndë ka goditur një familje shqiptare në Jacksonville, Florida. Në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, 26 gusht 2026, një zjarr i fuqishëm përfshiu një banesë dy katëshe në Windergate Drive, në zonën Mandarin – Jacksonville FL. Tre fëmijë – binjakët 11-vjeçarë dhe një djalë 2-vjeçar – humbën jetën. Dy të rritur, një fëmijë 9-vjeçar dhe një bebe 2-muajshe mbeten në gjendje kritike në spital.
Sipas shefit të Departamentit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Jacksonville, Percy Golden, alarmi u dha rreth orës 05:13. Ndërsa, zjarrfikësit mbërritën brenda katër minutash dhe gjetën flakë të forta në katin e parë si dhe tym të dendur në katin e dytë.
Dy të rritur dhe dy fëmijë kishin arritur të dilnin para mbërritjes së ekipeve të shpëtimit . Gjatë kërkimit të tyre, tre fëmijët e tjerë u gjetën pa shenja jete. Zjarri u vu nën kontroll rreth orës 05:38, por shkatërroi plotësisht banesën dhe dëmtoi dy njësi ngjitur.
Kryqi i Kuq Amerikan po ndihmon shtatë të rritur dhe gjashtë fëmijë të zhvendosur nga banesat e përfshirë nga flakët.
Familja e viktimave spas njoftimeve në rrjetet sociale nga Florida është me origjinë shqiptare, nga Lushnja, e emigrua prej vitesh në Shtetet e Bashkuara. Sipas informacioneve të komunitetit atje, bëhet fjalë për familjen e Genti Manatit. Gjyshërit e fëmijëve, Alie dhe Artan Sulovari, kanë qenë në vendngjarje.
Sipas komunitetit shqiptar në Jacksonville, familja kishte pesë fëmijë. Nëna kishte lindur dy herë binjakë. Prindërit, fëmija 9-vjeçar dhe bebeja 2-muajshe po luftojnë për jetën. Komshinjtë dhe anëtarë të komunitetit thonë se bebeja u hodh nga dritarja e katit të dytë nga zjarrefiksit dhe u kap nga kalimtarët, ndërsa prindërit po përpiqeshin të shpëtonin fëmijët nga flakët.
Raimonda Moisiu, shkrimtare dhe freelancere që banon në Jacksonville, tha se lajmin e mësoi fillimisht nga televizioni lokal Action News4 Jax dhe më pas e konfirmoi përmes grupit “Shqiptarët në Jacksonville” në Facebook.
Ajo theksoi se prindërit ndodhen në gjendje kritike dhe lutet për shërim të shpejtë: “Shqiptarët e Jacksonville dhe të gjithë Floridës po vijnë në ndihmë me çfarë të kenë. Është hapur edhe një GoFundMe,” tha Moisiu.
Në mesazhin e saj të ngushëllimit, ajo shprehu dhimbje të thellë për humbjen e tre engjëjve të vegjël dhe theksoi se ky zjarr “plagosi rëndë zemrën e mbarë familjes Manati dhe krejt komunitetit shqiptar”. Lutjet janë me prindërit dhe dy fëmijët e tjerë që luftojnë për jetën.
Kushërira e familjes, Alessia Firi, i tha televizionit lokal News4JAX se, në bashkëpunim me komunitetin, ajo ka hapur një fushatë GoFundMe për të mbuluar shpenzimet mjekësore dhe ato të funeralit: “Deri tani janë mbledhur mbi 110 mijë dollarë”, ajo thekson se familja dhe komuniteti janë thellësisht të hidhëruar, por shpresojnë për shërimin e të mbijetuarve.
Shkaku i zjarrit është ende nën hetim. Hetimi po kryhet nga Zyra e Marshallit të Shtetit – Luftës Kundër Zjarrit dhe njësia e hetimeve të vrasjeve, departamenti policisë së Jacksonville.
Komuniteti shqiptar në Jacksonville vazhdon të mobilizohet për të ndihmuar familjen e goditur.

