Aksidentet me mjetet motorrike janë një problem i përhershëm jo vetëm në vendin tonë, si një fakt në përditshmëri, por edhe si një “plagë” që duhet zbutur ose të ketë më pak pasoja, ka folur gjatë ing.Mimoza Hajdarmataj, e cila është Sekretare e Përgjithshme e Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë.
Hajdarmataj ka trajtuar problematikën, si dhe ka sqaruar ligjin përkatës.
Ajo, teksa foli për detyrimin ligjor ka trajtuar edhe anën praktike dhe lehtësirat që krijon sigurimi i automjeteve dhe pasagjerëve.
Ekspertja u shpreh se, ky është një mekanizëm mbrojtjeje sociale që garanton dëmshpërblimin e pasagjerëve ose të familjarëve të tyre në rast humbjeje jete apo dëmtimi fizik, sipas kushteve dhe kufijve të parashikuar nga ligji dhe kontrata e sigurimit.
Më poshtë, Thirrja e Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë:
Sigurimi i detyrueshëm i pasagjerëve është një nga ato sigurime për të cilat qytetarët flasin shumë pak, por që ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Shumë njerëz nuk janë në dijeni se, kur udhëtojnë me një autobus urban, interurban apo mjete të tjera të transportit publik të licencuar, ata duhet të jenë të mbuluar nga ky sigurim në rast aksidenti.
Ky është një mekanizëm mbrojtjeje sociale që garanton dëmshpërblimin e pasagjerëve ose të familjarëve të tyre në rast humbjeje jete apo dëmtimi fizik, sipas kushteve dhe kufijve të parashikuar nga ligji dhe kontrata e sigurimit.
Nga këndvështrimi i Shoqatës Shqiptare të Siguruesve, është e rëndësishme që qytetarët të informohen jo vetëm për ekzistencën e këtij sigurimi, por edhe për të drejtat që u lindin në rast aksidenti. Edukimi financiar nuk lidhet vetëm me blerjen e një police sigurimi, por edhe me njohjen e mbrojtjes që ligji u ofron qytetarëve në situata të caktuara.
Po aq e rëndësishme është që operatorët e transportit publik të respektojnë detyrimet ligjore për pajisjen me sigurimin përkatës dhe të garantojnë se pasagjerët udhëtojnë në përputhje me standardet e sigurisë dhe mbrojtjes financiare.
Sigurimi nuk e shmang aksidentin, por siguron që pasojat ekonomike të tij të mos rëndojnë tërësisht mbi qytetarin dhe familjen e tij. Kjo është arsyeja pse ai mbetet një instrument thelbësor i mbrojtjes së interesit publik.
Referuar LIGJIT Nr. 32/2021 PËR SIGURIMIN E DETYRUESHËM NË SEKTORIN E TRANSPORTIT.
Neni 19 “Përgjegjësia e shoqërisë së sigurimit dhe shuma e siguruar”
1. Detyrimi i shoqërisë së sigurimit, që rrjedh nga kontrata e sigurimit, përfaqësohet nga kufijtë minimalë të mbulimit të vlefshëm në ditën e aksidentit, përveç rastit kur në kontratën e sigurimit përcaktohet një vlerë më e lartë.
2. Minimumi i shumës së siguruar për çdo pasagjer të mbuluar nga kontrata e sigurimit, sipas nenit 17 të këtij ligji, përcaktohet si më poshtë: a) 2 000 000 (dy milionë) lekë në rast vdekjeje; b) 4 000 000 (katër milionë) lekë në rast paaftësie të përhershme për punë; c) 1 000 000 (një milion) lekë në rast paaftësie të përkohshme për punë dhe trajtimet mjekësore. 3. Ky sigurim mbulon vdekjen dhe dëmtimet trupore të shkaktuara pasagjerit nga apo si pasojë e: a) defekteve teknike që çojnë në humbjen e kontrollit mbi mjetin, defekte të cilat ndodhin jo për faj të pronarit apo drejtuesit të mjetit të transportit urban; b) rënies së objekteve të jashtme mbi mjetin motorik gjatë përdorimit të tij, qëndrimit në stacion apo gjatë qarkullimit; c) dëmtimeve aksidentale të shkaktuara nga grumbullime masive, akte të dhunshme që mund të kenë motiv politik ose social, si atentate, sabotime, akte terroriste, dëmtime, zjarrvënie të qëllimshme, ngjarje ose shpërthime në objektet e ndryshme që ndodhen jashtë mjetit të transportit publik me kusht që ai të mos jetë pjesëmarrës aktiv në ato ngjarje; ç) frenimit të papritur, plasjes së gomës, devijimeve të lëvizjes si rezultat i një shpërthimi apo shmangieje të menjëhershme të detyruar që çon deri në përmbysjen e mjetit të transportit publik; 9 d) shpërthimit që ndodh jashtë mjetit të transportit publik; dh) çdo ngjarjeje tjetër që ndodh jo për faj të drejtuesit/pronarit të mjetit të transportit publik dhe nuk mbulohet nga sigurimi i detyrueshëm i përgjegjësisë të pronarit të mjetit. 4. Shoqëria e sigurimit është e detyruar të zbatojë parashikimet e nenit 10 të këtij ligji për trajtimin e kërkesave për dëmshpërblim.
3.


