Me një status në rrjetet sociale, Shpëtim Axhami, kryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit, kritikon rëndë kryeministrin Edi Rama.
Ai ndal te financimi me 4 milionë euro i koncertit të Kanye West duke e quajtur si një shpërdorim të taksave të qytetarëve, të cilët kanë një mijë probleme të tjera.
Reagimi i plotë i kryelegalistit:
Imazhi i turizmit dhe i Shqipërisë nuk përmirësohet duke shpenzuar 4 milionë euro nga taksat e qytetarëve për koncerte reperash, z. Kryeministër. Ai përmirësohet me investime në infrastrukturën turistike, në arsim, shëndetësi, kulturë dhe me mbështetje reale për qytetarët.
Sot nuk është momenti për të marrë pjesë në koncerte të tilla. Sot është momenti që të bashkohemi në protestë dhe të ngremë zërin që taksat tona të mos shpërdorohen e vidhen, ndërsa problemet e përditshme të shqiptarëve mbeten pa zgjidhje.
Paratë e taksapaguesve duhet të shërbejnë për interesin publik, jo për të u hedhur hi syve dhe për të larguar vëmendjen e qytetarëve me koncerte bajate dhe propagandë.

