Dje kam marrë pjesë në protestën para Ambasadës Shqiptare në Londër me një objektiv: RREZIMIN E QEVERISE SE EDI RAMËS!
Me keqardhje shoh që organizatorët shfaqin pankarta si ‘Rama n’burg, Berisha n’burg’, simbole të MJAFTIT të dikurshëm apo simboli i grushtit komunisto-bolshevik!
Asnjë protestues në botë, as unë e askush tjetër nuk ka të drejtë të vendosë nëse Edi Rama të jetë kryetar i PS-së ose jo, atë e vendosin vetëm anëtarët e asaj partie!
Asnjë protestues në planet nuk ka të drejtë të vendosë se kush duhet të jetë kryetar i PD-se apo i cilësdo parti të spektrit politik shqiptar! Atë e vendosin ekskluzivisht anëtarët e asaj partie.
Por unë dhe cilido shtetas i republikës së Shqipërisë ka të drejtën të kontestojë e të përballet me ata që na qeverisin e menaxhojnë resurset e asetet kombëtare. E ato i ka në dorë dhe i menaxhon sot Edi Rama e sekti i tij.
Tendenca e drejtuesve/dirigjuesve të protestave në Tiranë por edhe në vende të tjera është kriminalizimi vetëm i Partisë Demokratike nga i gjithë spektri opozitar!
Askush nuk i konteston partite e tjera bile edhe ato që hapur kanë mbështetur Edi Ramën dhe sektin në zgjedhje. Mikrofonin e drejtojnë individë që kanë pozuar me Yuri Kim e kanë qenë bashkpunetorë të këllirës së Bashkisë por ata askush nuk i konteston!
Kjo nuk është e rastësishme e besoj unë ka prapavijë politike për ta përjashtuar këtë parti nga tryezat e negociatave të ardhshme të cilat janë në prag të derës!
Qeverinë prej 13 vitesh e ka Edi Rama e jo Sali Berisha.
Berishën nëse e ka shkelur atë e çon në burg vetëm ligji e asnjë britmë protestuesish!
Sali Berisha dhe Partia Demokratike kanë shumë mëkate në qeverisjen e tyre kur kanë qeverisur! Por të barazosh qeverisjen e sektit me opozitën është absurd logjik!
Dua ta bëj të qartë për gjithkënd që do ta lexojë këtë shkrim se unë as përfaqësoj Partinë Demokratike e as flas në emër të saj sepse nuk jam pjesë e saj e NUK kam të drejtë të flas apo të shkruaj në emër të saj edhe po të dua. Bile unë jam sulmuar dhe anatemuar për idetë dhe kritikat e mia shumë më egër nga eksponentê të PD-se se sa të sektit. Por, unë kam të drejtë të flas për ta siç kam të drejtë të flas për çdo parti tjetër shqiptare me ndikim ne politikë siç e kam bërë edhe në të kaluarën.
Rama nga ana tjetër duhet larguar nga qeverisja me çdo mjet se ka shkelur kontratën me votuesit e po shet Shqipërinë!
Rama duhet larguar sepse ka shkelur dhe dhunuar kushtetutën e Shqipërisë jo njëherë por disa herë. Por, në burg edhe atë e çon vetëm ligji e jo britmat e protestuesve!
——-
Në aspektin e jehonës dhe mbështetjes ndërkombëtare protesta në Shqipëri trajtohet si protestë kundër familjes Trump dhe bizneseve të përfolura korruptive të saj në Shqipëri!
Pra synohet jo mbrojtja e Shqiperisë nga Edi Rama dhe sekti i saj kriminal por lufta ndaj administrates Trump me siguri për ta dëmtuar në fushatën e Republikanëve në zgjedhjet mid-term të Nëntorit!
Në fakt e vërteta e thënë dhe e stërthënë është që Kushner e Ivanka janë vetëm fasadë e investimeve në Zvërnec e Sazan e investitoret realë janë të vendeve të lindjes së mesme e me gjasë edhe ata janë guaskë e një zot e di kush janë paradhënesit realë por ajo që është e qartë eshtë që asnjë dollar nuk është investim Amerikan.
Dr. Milaim Nela/ EDHE NJËHERË PËR SLOGANIN “RAMA N’BURG, BERISHA N’BURG’!
Leave a comment
Leave a comment

