Iniciativa e përbashkët e kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç për anëtarësimin në Bashkimin Evropian pa të drejtë vetoje, nuk ka gjetur përkrahjen e Komisioneres për Zgjerim Marta Kos.
Në një intervistë për Atlantic Council, ajo theksoi se nuk e mbështet këtë nismë, duke shtuar se vendet duhet të jenë anëtare të plota të BE-së. Sipas saj, ose je anëtar i Unionit me të drejta të plota, ose nuk je.
“Nuk ka anëtarësim “light”. Ose je anëtar dhe atëherë i merr të gjitha të drejtat. Ose nuk je anëtar dhe nuk i merr të drejtat. Por sigurisht, e kuptoj këtë letër nga zoti Vuçiç dhe Rama, në kuptimin që nëse BE-ja do të ketë probleme, e dini, për të vazhduar me procesin e zgjerimit, ata do të ishin të kënaqur me diçka më pak.
Kjo është zgjedhja e tyre. Unë nuk e mbështes këtë, sepse roli im është t’i ndihmoj ato vende të bëhen anëtare të plota të BE-së. Rregulli i thjeshtë është ky: nëse një vend përmbush të gjitha reformat dhe kriteret, duhet të bëhet anëtar i plotë i Bashkimit Evropian. Kështu është ndërtuar edhe Traktati ynë Evropian”, u shpreh ajo.



