Dr. Ilir Allkja
Pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ra në duart e komunistëve.
Rrugët e Tiranës dhe të qyteteve të tjera u përgjakën me varje e pushkatime të intelektualëve, tregtarëve dhe njerëzve të lirë.
Ata u zhdukën.
Vendin e tyre e zunë njerëzit e bindur.
Ata pak nacionalistë që mbetën gjallë, kur takoheshin fshehurazi, mbanin gjallë një shpresë:
se Evropa dhe Amerika nuk do ta lejonin këtë tragjedi.
Se një ditë aleatët do të ndërhynin.
Por kaluan 46 vite.
As Evropa.
As Amerika.
Askush nuk lëvizi qoftë edhe një gisht kundër regjimit që burgoste, internonte dhe vriste shqiptarë për një fjalë goje.
Në vitin 1990, shqiptarët u ngritën vetë në këmbë dhe e rrëzuan komunizmin.
Por liria nuk erdhi e plotë.
Në vend të saj erdhi një sistem i korruptuar, i padrejtë dhe zhgënjyes.
Edhe sot, pas kaq dekadash, dëgjojmë të njëjtën shpresë të vjetër:
se Amerika apo Evropa do ta nxjerrin në dritë Shqipërinë.
Por historia na ka mësuar një gjë të thjeshtë:
Asnjë komb nuk shpëtohet nga të tjerët.
Kombet shpëtohen vetëm kur zgjohet vetë populli i tyre.


