Nga Simon Ulndreu
Katër bombardues strategjik B-2 Spirit, nga Krahu i 28-të i Bombarduesve Strategjik të Forcave Ajrore Amerikane u nisën nga Amerika kontinentale për të goditur objektiva strategjike në Iran, në kuadër të Operacionin “Epic Fury”.
Të armatosur me bomba me peshë 2.000 paund, bombarduesit e fshehtë amerikanë dëshmuan edhe një herë se ishin thelbësorë për operacionet ofensive të SHBA-së, pasi ishin përdorur edhe më parë gjatë Operacionit “Midnight Hammer” në qershor 2025.
Duke u nisur nga Baza e Forcave Ajrore në Misuri, katër bombarduesit u shoqëruan nga pesë tankerë KC-46 Pegasus për furnizim me karburant gjatë fluturimit në udhëtimin e gjatë drejt objektivave të tyre.
Objektivat e misionit përfshinin qendrat e komandës dhe kontrollit, selinë e përbashkët të Korpusit të Gardës Revolucionare iraniane, Komandën e Forcave Hapësinore Iraniane, sistemet e integruara të mbrojtjes ajrore, sistemet e komunikimit, pozicionet e raketave balistike dhe të raketave anti-anije, si dhe anijet dhe nëndetëset e marinës iraniane.
Ashtu si me avionët B-1B të përdorur në sulmin e së shtunës, edhe me bombarduesit e fshehtë B-2 Spirit që po marrin pjesë në këtë operacion, sulmi i dytë radhazi i Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara shënoi efikasitetin e lartë gjatë operacioneve ushtarake transkontinentale, me vajtje-ardhje direkt nga kontinenti i Amerikës.
Nga një këndvështrim operacional, startimi i bombarduesve nga baza ushtarake amerikane e “Diego Garcia”, në Oqeanin Indian, do të kishte garantuar “efikasitet më të madh”, duke pasur parasysh rrezen luftarake të tyre prej mbi 6,000 kilometrash.
Kjo tregon vendosmërinë, se Shtetet e Bashkuara kanë ndërmend të kryejnë një fushatë presioni strategjik “të qëndrueshëm” në vend të një përgjigjeje reaktive, pavarësisht pranisë së fuqishme ushtarake që Pentagoni ka edhe në vendet e Gjirit Persik.
Por vendimi për t’u nisur direkt nga Shtetet e Bashkuara duket se synon të përcjellë një mesazh specifik politik dhe ushtarak:
Të demonstrojë shtrirjen globale të projektimit të fuqisë amerikane, si e vetmja fuqi ushtarake në planet, e aftë të godasë çdo vend në botë pa lëshuar bombardues nga kombet mike. Ata e kanë demonstruar tashmë këtë dy herë dhe pikërisht në Iran. Me Operacionin “Midnight Hammer” dhe me Operacionin “Epic Fury”.

