Të nderuar delegatë të Kuvendit Kombëtar të PDSH,
Të nderuar të rinj e të reja, zonja e zotërinj,
I dashur Chris, që e ke luajtur mendsh Edi Ramën,
I nderuar lideri historik dhe Kryetari i PDSH, Prof. Dr. Berisha,
Fillimisht me lejoni t’i shpreh mirënjohjen time të pakufi, qytetarëve të Tiranës të cilët mbrëmë e mbushën Sheshin Nënë Tereza në festën e demokratëve dhe sot vendosën të përçmonin tallavanë e shërbëtorëve të krimit të organizuar.
Po përse shqiptarët e neveritën tallavanë sot?
Sepse, në këto 12 vite Edi Rama u premtoi shqiptarëve rend dhe siguri, e në fakt ju dha Saimir Tahirin, i cili e ktheu Shqipërinë në parcelë të madhe kanabisi, ju dha Fatmir Xhafën, vëllanë e trafikantit më të madh të kokainës në vendet e BE, ju dha Taulant Enchro chat-in, i cili u dha “pasaportën e artë’’ të gjithë kriminelëve, për ta shndërruar Shqipërinë në Narkoshtetin e parë të Evropës, e në fund u rikthye tek babai i tij ideologjik, duke emëruar nipin e Enver Hoxhës si Ministër të Brendshëm, garant të bandave kriminale.
Përse u braktis tallavaja e sotme?
Sepse Edi Rama u premtoi shqiptarëve shëndetësinë falas, e në këmbim u dha atyre Ilir Beqen, i cili me dy koncensionet famëkeqe të Sterilizimit dhe të Check Up-it, e la shëndetësinë rrugëve pa krye dhe për ti vënë kapak, rropi edhe fondet e BE.
Stafetën e shëndetësisë rrugëve e mori më pas Ogerta Manastirliu, e cila i vrau shqiptarët përfundimisht, duke lënë fëmijët me leuçemi pa mjekime, nënat tona të cilat nuk diagnostifikohen dhe kurohen dot nga sëmundjet tumorale, e të gjithë shqiptarët të lëngojnë me ilaçe të skaduara.
Pra, shëndetësia falas u shndërrua në genocid dhe spitalet në kampe përqëndrimi.
Përse u refuzua tallavaja e sotme?
Sepse Edi Rama u premtoi shqiptarëve legalizimet falas brenda vitit 2014, e në këmbim u dha atyre Blendi Klosin, i cili me Task Forcën famëkeqe të pronave, grabiti të gjithë bregdetin shqiptar nga jugu në veri, për të bërë investitore strategjike Olta Xhaçkën dhe të gjithë grupet më të rrezikshme kriminale në vend, duke e kthyer turizmin, në lavatriçen më të madhe të pastrimit të parave.
Ju dha Uluzi 184, i cili zgjedhjet i shndërroi në panairin ku demonstronin aftesitë për mbledhje votash krimi i organizuar.
Përse u përbuz tallavaja e sotme?
Sepse Edi Rama u premtoi shqiptarëve, investime në infrastrukturë dhe energji, e në këmbim u dha Tërmet Gjiknurin, shërbëtorin e verbër të McGonigalit dhe Mirel Mërtirit si dhe Lubi Ballukun, e cila pasi gëlltit 24 milionë euro për 1 km rrugë, i turret e babëzitur tokave të fermerëve, për të gostitur të pangopurit e 5B me parqe fotovoltaike.
Ndërsa për dëfrim, mban Tigrin 1 dhe Tigrin 3 në kafazin lundrues 100 milionë euro.
Përse u tall tallavaja e sotme?
Sepse Edi Rama, u premtoi shqiptarëve ujë të pijshëm 24 orë, e në këmbim ju dha atyre Erion Qeliajn, Biftek Nusret Maznikun dhe Grupin e Strukturuar Kriminal 5D, të cilët jo vetëm mbushën rubinetat me ujë toksik, por betonizuan çdo cep të Tiranës, shembën Teatrin Kombëtar, e për ti vënë vulën helmuan Tiranën me plehra, për të vjedhur qindra milionë euro me inceneratorin fantazmë dhe kompaninë e 5 Drejtorëve.
Të dashur miq,
E kuptoni tani se përse u mbush sheshi Nënë Tereza mbrëmë?!
Sepse Partia Demokratike nuk është vetëm një forcë opozitare, denoncuese dhe qëndrestare. Partia Demokratike është alternativa qeverisëse e besueshme dhe konkrete për shqiptarët, alternativa që ka dëshmuar në historinë e saj se mund ta çojë vendin në zenitin e rritjes ekonomike dhe zhvillimit politiko-shoqëror.
Për cilindo që shfaq skepticizëm mbi programin tonë, ne ju themi se paratë janë tashmë këtu, energjitë janë këtu, pasuritë dhe burimet natyrore janë këtu, njerëzit e mrekullueshëm punëtorë dhe kreativë janë po ashtu në këtë vend.
Ajo që mungon është vullneti për ta ngritur këtë vend në piedestalin që meriton. Dëshira për të qeverisur në mënyrë demokratike dhe jo për të sunduar me despotizëm dhe plaçkitje.
Pa asnjë dyshim që ndërhyrja e parë, emergjente dhe e drejtpërdrejtë është Paketa e Emergjencës. Nuk mund të flasim për rritje ekonomike dhe turizëm ndërkohë që pensionistët, familjet e reja, të rinjtë jetojnë në kufirin e varfërisë dhe pabarazia sociale është e skajshme.
– Masa e parë është miratimi i minimumit jetik prej 200 eurosh, i cili garanton se çdo pension pleqërie, invaliditeti apo ndihmë ekonomike respekton dinjitetin njerëzor.
– Paga minimale 500 euro, siguron çdo të ri apo punëtor në punët më të vështira se mund dhe duhet të ketë një shpërblim të denjë për djersën e vet.
– Paga mesatare 1200 euro, i jep profesionistit në sektorin publik apo atë privat statusin që meriton dhe shanset reale për të mundësuar banim dhe mirëqënie për familjen e tij.
– Çmimi i energjisë 7 lek Kë/h u mundëson qytetarëve të vendit me burime të mëdha hidrike që të paguajnë një çmim të drejtë, përkundër zhvatjes qeveritare të deritanishme.
Partia Demokratike angazhohet të rimëkëmbë sistemin shëndetësor:
– Dyfishimi i buxhetit për shëndetësinë, sepse asnjë sistem shëndetësor serioz nuk mund të ngrihet mbi keqfinancim dhe mungesë të bazës materiale elementare.
– Krijimi i një modeli të ri sigurimesh shëndetësore, që ofron më shumë mundësi dhe konkurrencë për pacientët.
– Zgjerimi i listës së barnave të rimbursuara dhe garantimi i cilësisë së tyre, duke i dhënë fund ferrit të ilaçeve skadente dhe çmimeve të papërballueshme nga shtresat më të brishta ekonomikisht.
Programi për rininë, synon t’i japë fund dramës familjare dhe shoqërore të shpopullimit. Çdo prind meriton t’i ketë afër bijtë dhe bijat e veta. Çdo i ri meriton të ndërtojë të ardhmen në atdheun e vet, aty ku ka kujtimet, lidhjen emocionale dhe origjinën e pashkëputur kulturore.
– Dyfishim i buxhetit për arsimin. Çdo teori zhvillimi apo ngritje sociale e vendos theksin tek arsimi si faktor kyç. E nuk mund të ketë arsim modern pa një model serioz të financimit në nivelin e pagave, në shpërblim të kërkimit shkencor dhe në investime në pajisje dhe infrastrukturë arsimore.
– Zerimi i taksave për 3 vite për bizneset e të rinjve. Të rinjtë shqiptarë e kanë dëshmuar në të gjithë botën se kanë shkëlqyer në rezultate studimi, pune dhe sipërmarrje. Është koha që këtë energji ta shfrytëzojmë në shtëpinë tonë.
– 1 çati për çdo çift. Saga e familjeve të reja për strehim duhet të marrë fund. Shteti duhet të marrë përgjegjësinë të financojë 20% të kredive dhe 30 mijë euro kredi pa interes për çdo çift.
Sigurisht që këto masa janë vetëm fillimi.
Shqipëria ka nevojë për reforma të thella në administratë, infrastructure dhe mirëmenaxhim të buxhetit.
Te dashur miq,
Ne tashmë jemi të vendosur ta heqim qafe të keqen e madhe që i ka rënë Shqipërisë, që quhet Edi Rama.
Një fjalë e kam për të gjithë ju miq në këtë sallê dhe ata që po na ndjekin përmes ekranit.
Askush nuk më besoi dy vite më parë kur nisëm rrugëtimin për çmontimin e Grupit të Strukturuar Kriminal në Bashkinë Tiranë, të drejtuar nga Erion Veliaj. Shumëkush qeshi. Shumëkush tha terhiqu. Shumëkush ishin cinikë e mosbesues. Te tjerë madje kercenuan.
Por ja ku jam perpara jush, pas dy vitesh, me një zotim të mbajtur.
Sot ju premtoj se ashtu siç çmontuam kështjellën e rërës në Bashkinë Tiranë, e cila zuri nën vete tigrin prej letre Erion Veliaj, nën drejtimin e Sali Berishës, me këtë program qeverisës të shkëlqyer, me votën tuaj, me besimin në Zot e në familje, ne do të shembim perfundimisht instalacionin pa leje në kryeministri, që quhet Edi Rama.
Ndaj le ta bëjmë natën ditë në këto 29 ditë që na kanë mbetur, të trokasim në çdo portë të shqiptarëve, të shtrëngojmë çdo dorë e t’i shohim shqiptarët në sy, pasi një ditë e re do të lindë me 12 maj, ditë e cila do të shënjojë një kapitull të ri për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo në botë.
Fitore!