Ditën e djeshme, Kreshnik Spahiu hodhi në rrjetet sociale një sinkron filmik duke e servirur si foto, në përpjekje për të ironizuar liderin historik të opozitës, Sali Berisha.
Me cinizmin e një çinguni – sa të mendimit, aq edhe të pamjes – Kreshniku i “Aleancës së Çkombëtarëve” u përpoq t’i bëjë humor të lirë rrudhave të një burri që ka bërë histori, ndërkohë që vetë ka hyrë në politikë si figurant, me axhendë të huaj dhe me bekimin e Ramës.
Kreshnik, nuk e di si e mat “të ardhmen” – me rrudhat në fytyrë apo me rrudhat në mendje!? Sepse, po të shikojmë energjinë, Berisha ka pasur fuqi të rikthehet e të ndezë skenën politike disa herë. Ndërsa ti, më i ri në moshë, por i konsumuar në ide, po ecën paralel me Ramën në të njëjtën karrocë të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Je aty për të krijuar kaos, për të çorientuar qytetarin, për të relativizuar çdo alternativë reale. Retorika jote publike nuk i bie qeverisë, por opozitës – sepse misioni yt është pikërisht të shërbesh si tampon dhe diversion. Dhe nëse s’ke projekte për të ofruar, mos i masko me batuta filmash e shfaqje pa thelb. “Mos e shih gunën, po shih punën” – thotë urtia popullore. E ndërsa ti merresh me rrudhat e të tjerëve, duket qartë që vetë nuk ke asgjë për të thënë.
Në fund, historia i dallon mirë ata që luftuan për të vërtetën nga ata që u shitën për komoditet. Ti, Kreshnik, nuk je as opozitë, as alternativë – je thjesht një instrument i vjetër në duart e një regjimi që kërkon zgjatje jete. Por koha e maskave po mbaron. Dhe kur të bjerë perdja e farsës, publiku do të duartrokasë ata që luftuan me rrudha në ballë, jo ata që fshehën pazaret pas buzëqeshjeve televizive.

