Kryeministri Edi Rama u shpreh sot gjatë prezantimit të programit elektoral se ai dhe PS janë e vetmja forcë politike që mund të garantojnë vijueshmërinë e reformës në drejtësi.
Ajo çfarë bie në sy është se pavarësisht akuzave ndaj opozitës, ekipi socialist ka huazuar disa nga objektivat e programit të PD-së.
Rama akuzoi Berishën kur tha se kërkon votën më 11 maj, që më 12 maj të shkrijë SPAK.
” Vetëm sot, vetëm në këto vite të fundit, falë reformës në drejtësi, falë rrugës që ne, Partia Socialiste e Shqipërisë dhe askush tjetër, i hapëm drejtësisë së re, shqiptarët po shohin përpjekjen e parë në histori për të vendosur barazinë para ligjit.
Kurrë më parë qysh nga viti 1912, kur ne u bëmë shtet i pavarur nga perandoria, kur krijuam qeverinë e parë, ne nuk kemi pasur në asnjë rast, një individ të lidhur me pushtetin politik që të jetë hetuar dhe gjykuar nga një trupë e pavarur, deri kur, pas reformës në drejtësi, me krijimin e institucioneve të reja, kjo ka filluar të ndodhë dhe ka filluar të ndodhë për arsyen e vetme, sepse ne i kemi dorëzuar drejtësisë vullnetarisht, me një vizion shumë të qartë, me një vullnet të palëkundur dhe me një vetëdije po aq të qartë se çfarë do të sillte kjo si kosto edhe për ne, shpatën, shpatën e zonjës së drejtësisë, e cila atë shpatë e mban qysh në lindje të kohërave demokratike apo qysh në lindje të kohërave shtetërore për botën, ndërkohë që në Shqipëri nuk e kishte deri kur ia dorëzuam ne. Ajo shpatë ka qëndruar në zyrën e të parit të qeverisë, që nga 1912 deri kur unë arrita në atë zyrë.
Është pasuar dorë pas dore, pavarësisht nga forma e regjimit, mbretëri, diktaturë komuniste apo demokraturë, demokratura me atë shpatë të përdorur arbitrarisht nga i pari i qeverisë, futi në burg kryetarin e opozitës, të fundit të burgosur politik në historinë e Shqipërisë, Fatos Nano.
Ne e dorëzuam shpatën. Sot, ajo shpatë është në duart e SPAK-ut. Sot, ajo peshore është në duart e Gjykatës Speciale dhe sot ne jemi vetëm të kësaj historie të re, të cilën bufi i kënetës, bashkë me të gjithë të tjerët rreth tij përbetohen e betohem se do ta kthejnë përmbys. Duan votën më 11 maj që më 12 maj të marrin shpatën”- u shpreh ai

