Nga Telnis Skuqi
Sot në mbrëmje, Edi Rama dhe përfaqësuesit e tij politikë të qarkut të Gjirokastrës, do të tentojnë një tjetër shfaqje të parashikueshme: përdorimin e komunitetit islamik për kapital politik.
Iftari i shtruar në Lazarat, i organizuar nga Flamur Golemi dhe Mirela Kumbaro, nuk është një gjest i sinqertë, por një përpjekje për të krijuar iluzionin e një qeverie që kujdeset për komunitetin.
A është rastësi që ky “afrim” ndodh pikërisht tani?
A është rastësi që Lazarati, dikur i demonizuar nga kjo qeveri, sot përdoret si sfond për një spektakël politik?
Disa vite më parë, po kjo qeveri e shihte Lazaratin si simbolin e një “problemi” që duhej shuar me zjarr dhe hekur. Sot, i njëjti fshat shndërrohet në skenën ku Rama dhe njerëzit e tij kërkojnë të projektojnë një imazh “afërsie” me komunitetin. Por pyetja mbetet: a është ky një rehabilitim i sinqertë, apo thjesht një shfaqje për vota?
Ky është një rast i pastër i përdorimit të fesë për përfitime politike. Një qeveri që vërtet respekton besimin nuk e përdor atë si vegël elektorale. Një qeveri që vërtet kujdeset për njerëzit, nuk kujtohet për ta vetëm kur afrohen zgjedhjet.
Nëse dikush duhet të ndjejë keqardhje sot, nuk janë qytetarët e Lazaratit, por ata që mendojnë se mund t’i mashtrojnë me këtë lloj politike të vjetër.
Ahhhhh se harrova, jam gati të hedh një bast: Mediat e Ramës do ta quajnë “surprizë” vajtjen e tij në iftar, sikur besimtarët paskëshin ëndërruar gjithë Ramazanin që t’u shfaqej kryeministri në tryezë, mes llokumeve, premtimeve boshe dhe kamerave që kapin çdo kafshatë.
#e #e #e

