Sipas AGJENCIA TELEGRAFIKE VOX
ENTI MEDIATIK “L’ECHO”: INDRIT KULAJ DHE ALFREDO HAMZAI U DËNUAN ME NGA 9 VJET BURG NË BELGJIKË: PROKURORIA KËRKOI NGA 20 VJET BURG.
Bruksel, Belgjikë | Enti mediatik belg “L’Echo” ka zbuluar sot detaje nga çështja penale e shumëpërfolur si “Shqiponja e Zezë” (Black Eagle) e megadosjes së SKY ECC që ka çuar në shkatërrimin e një prej organizatave më të mëdha shqiptare të trafikut të lëndëve narkotike (kokainë), ku mes të tjerash janë përmendur edhe lidhje politike në Shqipëri.
Në artikullin e sotëm, media flet për dy prej shqiptarëve të dënuar me 9 vjet burg secili dhe zbulon emrat e tyre, të z. Indrit Kulaj, me moshë 34 vjeç dhe të z. Alfredo Hamzai, me moshë 52 vjeç.
Sipas mediave belge një tjetër gjyq do të zhvillohet për organizatën në Palma de Majorka (Palma de Mallorca) të Mbretërisë së Spanjës, ku do të shihen edhe lidhjet e organizatës kriminale me personalitete të larta të politikës shqiptare.
Një natë të muajit korrik të vitit 2018, në portet e terminalit të qymyrit të Montoir-de-Bretagne, një komunë franceze pranë Saint-Nazaire, doganat franceze inspektuan një konteiner që mbërrinte nga Surinami dhe bënë një zbulim: një mur të brendshëm të dyfishtë.
Aty u gjetën 120 kilogramë kokainë e ndarë në pesë “bukë”, një telefon celular Bllekbëri (BlackBerry), dhe disa sende të tjera.
Autoritetet urdhëruan hapjen e një hetimi në kushtet e flagrancës dhe identifikuan praninë e një atuomjeti tip “Ford Kuga”, që i përkiste z. Indrit Kulaj, mbajtës i një distinktivi të lëshuar nga porti i Dankërkut (Dunkirkut).
Autoritetet franceze u vunë në kërkim të tij duke lëshuar një udhër arresti ndërkombëtar, (i cili ka lindur në vitin 1990, dhe banon në Antuerp (Antwerp)) i njohur për autoritetet belege të drejtësisë penale.
Ai, në fakt, u dënua në vitin 2010, kur ishte 19 vjeç, me katër vjet burg për importimin e 23 kilogramëve kokainë nga një konteiner me banane në portin e madh flamand.
Ishte një epokë krejtësisht tjetër, kur trafiku i kokainës në Antuerp ishte një zanat i brishtë.
14 vjet më vonë, kilogramët janë bërë tonë dhe sasitë vjetore të kapjes së kokainës në Antuerp janë shumëzuar me më shumë se tridhjetë.
Afera “Shqiponja e Zezë”: Që nga ajo kohë, z. Indrit Kulaj është rikthyer në radarët e forcave policore europiane, si drejtues i një organizate të madhe kriminale, e cila importonte tonelata kokainë në Europë nëpërmjet Belgjikës, për përfitime kolosale.
Në fund të muajit qershor, ai u dënua me nëntë vjet burg nga gjykata penale e Brukselit për një çështje të titulluar “Shqiponja e Zezë” nga prokuroria federale, përgjegjëse për çështjen.
Kjo organizatë u orkestrua nga z. Indrit Kulaj dhe me ndihmën e të afërmve dhe të bashkëpunëtorëve të tij, nga qelitë e burgut në Barcelonë, më pas në Saint-Gilles, nëpërmjet telefonit të tij të kriptuar (kriptofonit) Sky ECC, thyerja e kodit të të cilit bëri të mundur ndriçimin e porosive të veprimatrive të tij kriminale.
Fati i z. Kulaj ndryshoi pas zbulimit të 441 kilogramëve kokainë në një anije peshkimi marokene, e kapur nga policia në brigjet e Porto Rikos, në Karaibe, më 25 nëntor 2019.
Policia spanjolle, në vendngjarje dhe në lidhje të përhershme me homologët e saj belgë, është në dijeni të një takimi për dorëzim në një qendër tregtare në Tarragona, në jug të Barcelonës.
Më 19 janar 2020, aty u arrestua z. Indrit Kulaj me një valixhe me të holla të thata (kesh).
Në furgonin e tij, të parkuar aty pranë, lëndë narkotike ishte e fshehur në një fund të dyfishtë.
Më 30 shtator 2020 në bulevardin (avenue) Henri Conscience në Evere, u krye një kontroll në kutitë e garazhit ngjitur me kafenenë “Au Vieux Comptoir” , tashmë e mbyllur.
Aty u gjetën 13 kilogramë kanabis, uniforma false policie, një tank zhytjeje dhe mbi të gjitha një seri e tërë kimikatesh për përpunimin e kokainës.
Kutitë janë marrë me qera me emra të rremë, por aty pranë është thirrur një numër telefoni, ai i z. Indrit Kulaj…
Një laborator përpunimi të kokainës i vihet flaka nga një cigare e fikur keq: Ajo që pasoi ishte një hetim veçanërisht i gjatë nga policia gjyqësore federale dhe zyra e prokurorisë federale, të quajtur “Shqiponja e Zezë”.
Ngjarjet do të merrnin një kthesë tjetër kur në muajin shkurt të vitit 2021, një përgjim i kryer ndaj z. Kulaj zbulon se lideri i organizatës kriminale i ka dhënë kodin e tij të kriptofonit Sky ECC një bashkëpunëtori.
Në gjendje për të thyer atë kod, policia tani ka akses në të gjitha bisedat e tij, madje edhe më të vjetrat. Dhe mund të zbulojë të gjitha funksionet e organizimit të saj.
Për të organizuar trafikimin e tij, z. Kulaj kërkoi shërbimet e një prej bashkëpunëtorëve të tij të përjetshëm: z. Alfredo Hamzai, i cili, ishte ai që kishte kontrollin e grupit në mungesë të drejtuesit të burgosur.
Z. Hamzai nuk është një njeri që shqetësohej për detaje: ai u përgjua edhe përmes kriptofonit të tij Sky ECC, u pa se ai i sugjeroi një bashkëpunëtori të vriste partnerët e tij brazilianë.
“Mbarojini, jam i turpëruar me brazilianët”, tha ai.
Ishte ai që shpërtheu tërbimin e tij edhe ndaj një prej vartësve të grupit kriminal, një farë Emiliano, i cili shkaktoi në muajin gusht të vitit 2020 zjarrin e një laboratori të përpunimit të kokainës në 244 rue Grey, në Ixelles, e gjithë kjo për një shuarje të dobët të një cigareje, në fund të natës.
Është edhe z. Hamzai që organizon pritjet e kokainës, herë me sukses, herë më pak, si atëhere kur në muajin tetor të vitit 2021, një ton kokainë e hedhur në det do të humbasë për shkak të motit të keq…
Përsëri ai që duhet të njohë dështimin e kimistit të organizatës që shkaktoi zhdukjen e sasisë prej 35% të një importi të bazës së kokainës në një operacion të dështuar të transformimit të produktit, ndërsa humbja do të duhej të ishte zakonisht 12%,
“Sapo u kapën…Më shumë se pesë tonë…”
Por më e keqja nuk ka ardhur ende. Më 3 qershor të vitit 2021, ishte konfiskimi më i madh i bërë ndonjëherë në portin e Antuerpit.
Gati shtatë ton kokainë u zbuluan në një kontejner me banane të transportuar nga MSC Anisha R, e cila mbërriti nga Guayanaquil (Ekuador) më 31 maj.
Bëhej fjalë për 93 pako të zeza që përmbanin gjithsej 5779 bare kokainë, gjithsej 6889.6 kilogramë, me vlerë shitje më shumë se 200 milionë euro…
Z. Hamzai e përmendi sekuestrimin në Signal duke thënë: “Sapo u kapën një orë më parë. më shumë se pesë tonë…”
Një pjesë e madhe e këtij importi kokaine i përkiste grupit kriminal. Për ta, kjo është një humbje e madhe.
Konfiskimet e njëpasnjëshme i vënë në teh baronët belgo-shqiptarë. Dhe para së gjithash z. Kulaj. Megjithatë, ai kishte arsye për t’u gëzuar.
Më 7 tetor të vitit 2021, ai u ekstradua përfundimisht nga Spanja nga qelia e tij e burgut në Barcelonë, duke u kthyer përfundimisht në Belgjikë.
Për të, do të jetë burgu i lashtë i Saint-Gilles, në ekzekutimin e një dënimi me katër vjet burg të dhënë nga Gjykata e Apelit të Antuerpenit.
Mikrofonat e vendosur në qelinë e tij të burgut lejojnë hetuesit ta ndjekin atë edhe më afër.
Shokut të tij të qelisë, z. Kulaj iu hap dhe u shqetësua për operacionet e policisë që po godasnin komunitetin e trafikantëve të drogës.
Ai i tha shokut të tij të burgosur se pavarësisht se është në burg, ai arrin të mbajë 50% deri në 60% të aktivitetit të tij të zakonshëm. E gjithë kjo ndërsa përshkruan planet e saj të zgjerimit në Kolumbi dhe Ekuador.
Leja nga burgu monitorohet nga afër nga policia: Jashtë trafiku vazhdonte, me z. Hamzain në krye.
Më 8 tetor të vitit 2021, një ditë pas ekstradimit të z. Kulaj, bashkëpunëtori i tij mori një kontenier me 300 “bukë” në “188 Belfruco”, dok i specializuar për fruta dhe perime në portin e Antuerpenit.
Kontejneri me të vërtetë do të transferohet me kamion në Roterdam, kokaina do të shitet.
Megjithatë, rrjeta e thurur nga policia federale do të mbyllet së shpejti.
Një nga laboratorët e nxjerrjes së kokainës të organizatës kriminale, me qendër në Zutendaal, në zonën e vogël artizanale e qytetit të Limburgut, u çmontua në muajin nëntor të vitit 2021.
Por dita vendimtare ishte 14 shkurti i vitit 2022. Dita e pushimit të parë nga burgu i z. Inndrit Kulaj.
Ai pritet në këtë ditë të Shën Valentinit nga bashkëpunëtori i tij i preferuar, z. Alfredo Hamzai, i cili e pret para burgut Saint-Gilles, në timonin e Renault Twingo-s së tij.
Së bashku, ata shkojnë në Antuerp për të bërë një turne në qytet dhe për tu takuar me bashkëpunëtorë të ndryshëm. Pa e kuptuar se po ndiqeshin nga afër nga policia.
Ishte të nesërmen që ai vendosi të aktrojë. Dhe për të kryer, këtë 15 shkurt 2022, rreth dhjetë kërkime të ndryshme. Në shtëpinë e Hamzait, policia ka zbuluar 198450 euro kesh.
Te Xhesi, partneri i z. Kulaj u zbuluan dhe u sekuestruan 74900 euro kesh, ora Rolex, 17 kilogramë kokainë, armë zjarri dhe një fletore e çmuar kontabiliteti, të fshehura në një dhomë sekrete me hyrje të fshehur.
Gjithashtu vizitohen kutitë dhe laboratorët. Po atë ditë, policia spanjolle veproi në bashkëpunim, me mbështetjen e Europolit.
Në total, 600 oficerë policie u vendosën për të arrestuar 45 persona. Një operacion i madh kundër strukturave të krimit të organizuar.
Dy vjet më vonë, z. Indrit Kulaj dhe z. Alfredo Hamzai, të shoqëruar nga rreth pesëmbëdhjetë bashkëpunëtorë, u dënuan me nga nëntë vjet burg, ndërsa prokuroria federale kërkoi njëzet vjet burg.
“Ishte në fund të muajit qershor dhe zyra e prokurorisë federale që atëherë ka apeluar”, tha zëdhënësi i saj për entin mediatik belg L’Echo.
Kryetari i gjykatës ka marrë parasysh rrëfimet dhe keqardhjet e bashkëpunëtorëve, duke rrëfyer shumicën e fakteve, ndërkohë që ata do të duhet të gjykohen edhe në Spanjë, në Palma de Majorka (Mallorca), në një seksion që ka të bëjë me një shikim më nga afër të lidhjeve të supozuara midis organizatës kriminale dhe personaliteteve të larta politike shqiptare.
Ndaj z. Dimitri de Beco, avokati i z. Indrit Kula, pret të përjetojë një gjyq të dytë.
Ai përshëndet punën e një gjyqtari i cili zgjodhi një dënim të matur përballë të dënimeve të rënda të kërkuara nga prokuroria.
Znj. Nathalie Gallant, avokatja e z. Alfredo Hamzai, nga ana e saj mirëpriti gjykimin e matur të një gjyqtari që e njeh çështjen e tij dhe nuk e lejoi veten të tërhiqej në rrëshqitjen Sky-ECC.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë

