Me lajmin se Partia Demokratike do përzgjedh kandidatët për deputet, disa kryetar degësh, në kuadër të një gare të barabartë, po japin dorëheqjen nga pozicioni i kryetarit të degës për t’u futur në Primare që përcaktojnë listën e kandidatëve për deputet.
Më poshtë po japim deklaratën e Manjola Cikuli Nikollo, kryetare e PD Sarandë dhe Afrovita Dhimojani, kryetare e PD Himarë.
Manjola Cikuli:
Të dashur anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike Sarandë!
Falë mbështetjes suaj, 8 muaj më parë, u rizgjodha për një mandat të dytë si drejtuese e degës sonë. Përgjegjësia ime ndaj çdo demokrati u dyfishua, motivimi im për të përmbushur me sukses detyrën, u shumëfishua. Gjatë kësaj periudhe jam përpjekur me mish e shpirt jo vetëm të përmbush detyrat e mia funksionale, por edhe të bëj gjithçka për të bashkuar e forcuar degën tonë në prag të zgjedhjeve të përgjithshme.
Bazuar në udhëzimin e kryesisë së PDSH-së, funksioni i Kryetarit të degës bie ndesh me procesin e Primareve dhe për këtë arsye,kërkoj nga ju me përulësi të pranoni vendimin për të dhënë dorëheqjen nga detyra. Si një prej jush, duke kaluar hap pas hapi çdo funksion prej anëtares së thjeshtë të seksionit e deri në nivel drejtuesi, e quaj legjitime ambicjen time për të kandiduar në procesin e Primareve për listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 Majit 2025, për të cilën nuk mund ta realizoj pa mbështetjen tuaj!
Kurrë nuk e kam quajtur privilegj të qenit drejtuese, por akt sakrifice për të mirën e përbashkët, në mënyrë të veçantë këto 12 vjet të vështira të opozitë që kemi përjetuar të gjithë bashkë. Krah jush, kam punuar si e barabartë mes të barabartëve, si demokrate mes demokratësh por mbi të gjitha si një qytetare e cila politikanin e sheh si mjet për të shërbyer e jo për të përfituar. Gjithnjë kam luftuar për të arritur e jo të qëndroj e heshtur përball padrejtësive, sepse kam besuar gjithnjë se qëndresa e guximi janë mjeti i duhur që ne t’ja dalim.
Kandidatura për deputete, nuk ka qenë kurrë qëllim në vetvete. Qëllimi im ka qenë gjithnjë kontributi për Partinë Demokratike pavarësisht pozicionit. Por mendoj se në këto momente janë pjekur kushtet, që përfaqësimi im, i joni së bashku, të kalojë në këtë stad të ri. Nuk preferoj dhe nuk kam preferuar kurrë emërime, ndaj do të garoj sërish, ashtu si kam bërë gjithnjë, duke filluar nga seksioni, kryesia e deri tek drejtimi i degës.
Duke filluar nga sot, do të kërkoj mbështetjen e çdo anëtari për garën e Primareve, me një objektiv dhe vizion të qartë. Jam e bindur se, bashkë ne mundemi, jo vetëm që Saranda të jetë e përfaqësuar në nivel qëndror me një banor të sajin, atë që ja di e ja “qan” si duhet hallet qytetit, por edhe Partia Demokratike të arrijë fitoren e shumëpritur por edhe të merituar.
Ju kërkoj me përulje, që në garën e Primareve të gjykojmë ftohtë e me maturi, të veprojmë si demokratë e të sillemi me qytetari. Nuk është garë emrash, por është garë dinjiteti. Është gara e të gjithë ne, që t’i ofrojmë çdo votuesi mundësinë për të zgjedhur qytetarin e mirë, intelektualin, politikan e drejtë, por mbi të gjitha përfaqësuesin e tyre të devotshëm. Jam e bindur se përfaqësoj këto cilësi, e mbi këtë bazë do të kërkoj edhe mbështetjen tuaj.
Duke qenë mirënjohëse dhe e përulur për këtë sakrificë të jashtëzakonshme tuajën në këto vite shumë të vështira opozite, kërkoj mbështetjen tuaj në këtë sfidë të re.
Ju faleminderit për gjithcka demokrat!
Manjola
Nga Afrovita Dhimojani:
Të dashur bashkëqytetarë Himariot/e!
Në 11 Maj votohet për ndryshimin e domosdoshëm që i nevojitet vendit, por votohet edhe për Himarën, që të ketë përfaqësuesin e saj në Parlamentin e Shqipërisë!
Si drejtuese e Degës Himarë prej tre vitesh, kam qënë përballë me pushtetin, me armën e vetme fjalën, mbrojtjen e Himarës, votën dhe besimin në zot.
Këtë nuk mund ta kisha bërë pa mbështetjen e anëtarëve të Partisë Demokratike, aleatëve dhe qytetarëve.
Partia Demokratike kandidatët e saj, do t’i përzgjedhë me procesin e Primareve, me parimin “një anëtar një votë”. Ky ka qënë angazhimi i Kryetarit të Partisë Demokratike, Prof. Dr.Sali Berisha, i sanksionuar me statut.
Një angazhim që hap garën dhe meritokracinë, një angazhim që më dha besim mua dhe shumë demokratëve të zhgënjyer për t’u bërë pjesë e garave brenda strukturave.
Miqtë e mi!
Sipas udhëzimit të Partisë Demokratike, dua t’ju informoj se kam marrë vendimin të konkurroj në Primare, duke dhënë dorëheqjen nga Kryetare e Degës Himarë.
Duke qënë mirënjohëse çdo anëtari dhe simpatizanti që më besuan me votë, përseri sot po ju drejtohem si Himariote dhe kërkroj mbështetjen tuaj, për kandidaturën time për Deputet në Parlamentin e Shqipërisë.
Ka ardhur koha që Himara të përfaqësohet nga vetë Himariotët në sallën e Parlamentit. Unë besoj fortë që do jem një zë që nuk do ndalet, as do trembet, as do shantazhohet për të mbrojtur interesin Himariotëve siç e kam bërë dhe do vijoj ta bëj.
Që sot e në vijim do të kërkoj mbështetjen me votë çdo anëtari dhe simpatizanti të degës Himarë!
Gara është e vetmja rrugë të dëgjohet gjithësecili për të votëbesuar përfaqësuesin e tij.
Me besimin tek ju dhe tek vetja, ne përsëri do ia dalim.Himara e meriton të përfaqësohet nga Himariotët!
A.DH