Nga Hasan Bello
Në historinë e Shqipërisë shtypi ka luajtur një rol të rëndësishëm për ndëgjegjësimin e popullit për çështjen kombëtare. Por pas krijimit të shtetit shqiptar, ai u përfshi në vorbullën e luftës politike. Kështu, përveç kontributeve pas vitit 1912 shtypi shqiptar mishëron të gjitha veset dhe mangësitë e shoqërisë.
Në fillim të viteve 20-të u hodhën hapat e para për hartimin e një ligji për shtypin. Për shkak të problematikave të këtij ligji, në vitin 1922 politikanët shqiptarë vendosën që për një periudhë të shkurtër të rikthenin në fuqi ligjin otoman të shtypit. Kjo për dy arsye: e para, se ai përputhej me nivelin social-ekonomik të shoqërisë dhe, e dyta, sepse edhe vetë xhonturqit këtë ligj të miratuar pas revolucionit e kishin huazuar dhe përshtatur nga Franca.
Në shtypin shqiptar, përveç polemikave dhe artikujve të ndryshëm kritik, për një shoqëri të pamësuar me këtë hapësirë demokratike, u vu re se kishte edhe shumë shkrime me karakter disinformues. Këto nxiteshin jo vetëm nga dashakeqësia, por dhe nga konsullatat dhe legatat e vendeve fqinjë për të destabilizuar situatën politike ose për “trafik influencash”. Me këtë të fundit kemi parasysh rastet kur shteti shqiptar nënshkruante traktate ose marrëveshje ndërkombëtare apo kur jepte me koncension asete të ndryshme. Kjo ishte një dukuri evidente, kur Italia dhe Jugosllavia, dy fuqi rivale në territorin shqiptar “zgjidhnin qeset” për gazetarët dhe shtypin.
Por nuk mungonin edhe raste kur vetë politika dhe qeveria i nxiste ato kundër koncensionarëve. Kështu, Zogu disa herë do t’i karikojë gazetat e kohës kundër kapitalit dhe kompanive italiane.
Një rast tipik është ai kundër Bankës Kombëtare Shqiptare, e cila ishte krijuar në mars të 1925 me kapital të përbashkët shqiptaro-italian. Për shkak të mospërputhjes së interesave dhe politikës së disfavorshme që grupi financiar italian ndiqte me urdhër të Musolinit ndaj qeverisë shqiptare, kjo e fundit nxiti shtypin të botonte artikuj kritik.
Grupi financiar italian ngarkoi drejtorinë e Bankës për të ushtruar presion mbi organet e ndryshme të shtypit, me qëllim që të mos bënin asnjë kritikë në adresë të tij. Për këtë qëllim, ajo bashkëpunoi ngushtë me përfaqësuesit diplomatikë të Italisë në Shqipëri.
Në vitet 1925-1931 këta të fundit dhe drejtuesit e Bankës për përdorën me gazetarët dhe shtypin e kohës marrëveshjet e fshehta për subvencionimin e tyre, kreditë e ndryshme bankare, sistemin e tarifave për botime të veçanta, reklamat etj. Në këtë mënyrë u ndërhy në një numër gazetash, si: “Demokratia”, “Ora”, “Kombi”, “Vullneti i popullit” etj.
Kjo tregon se në vitet 20-30-të të shekullit të kaluar, në shtypin e kohës ka ekzistuar si vendosja e gjobave ashtu edhe “trafiku i influencave” për interes të shtetit shqiptar ose, për llogari të shteteve të huaja. Një dukuri e tillë dokumentohet si nga faturat e Drejtorisë së Shtypit (dhe Censurës), por dhe nga legatat e shteteve të ndryshme, siç ishte për shembull ajo e Italisë.

