Tirana gati për të rikthyer zogjtë
Të dashur qytetarë, bashkëkombas dhe viktima të trafikut urban!
Jam këtu para jush në këtë komunikim virtual për t’iu kërkuar përulësisht ndjesë!
Po, po, ndjesë! Jo ndjesë për gabimet e mia sepse, siç e dini, unë nuk e kursej veten kur bëj gabime (fakt është që deri sot nuk kam bëre asnjë gabim, situata siç e shini, flet vetë!), por po kërkoj ndjesë për faktin se e kemi tepruar me ngjyrën gri.
Është e qartë se ngjyra e gjelbër e pranverës është më tërheqëse se grija e zymtë e dimrit.
Po flas sot drejtëpërdrejtë me ju apo siç e do zanati: Sy m’ sy!
Po flas jo për ata që kanë humbur rrugën pas qoftë largut, por për ata socialistë e demokratë që po i ikin vitet më të bukura të jetës në kaosin tonë trafik, një kaos i organizuar!
Ka ardhur koha të shohim në sy jo vetëm njeri-tjetrin, por edhe veten, por si! Dalim para pasqyres, pyesim: Unë jam? A e kam, ose me saktë, a e kemi tepruar me ndërtimet, me kullat?
Gjatë këtyre tri mandateve kemi punuar fort, shumë fort, për ta kthyer çdo cep të Shqipërisë në një kantier ndertimi ku punohet natë e ditë, e ditë e natë. Disa thonë e bën mafia e ndërtim-politikes, disa të tjerë thonë ajo e ndertim-bleresve! Hajde gjeje!
Kullat kanë zbukuruar Tiranën, instagrami shkëlqen, Facebook-u buçet, ndërsa TikTok-u nxin e Youtube shpërthen.
Por trotuaret janë zënë sa nga pallatet, aq edhe nga makinat, fushat e lojërave ekzistojnë vetëm në fotografi, dhe numri qytetarëve që flasin me veten po rritet.
Sipas një ankete gjysma e Tiranës sot nuk e di që ekziston dhurata e bukur e natyres – mali i Dajtit – dhe nuk kanë si t’a dinë se nuk e shohin më.
Duke nisur nga ky moment, unë shpall kantierin e ri, “Gjelbërim Total”! “Stop ndërtimit”.
Nga sot e tutje, çdo leje për një kullë të re do të zëvendësohet me një leje për mbjelljen e pemëve, e kjo jo veç në letër, por kush nuk e zbaton merr letrën për në burg.
Në vend të “investitorëve strategjikë”, me apo pa buxhet justifikues, që betonojnë qytetin, do të kemi “gjelbërues strategjikë” të cilët do të mbjellin parqe, do të ndërtojnë kopshte e fusha futbolli, hapësira komunitare dhe pyje të vërteta orbitale.
Historia mbill pemë në televizion dhe rrit pallate do të marrë fund, njëherë e mirë.
Në Tiranë, aty ku do të ndërtohej kulla tjetër 100-katëshe, tani do të kemi “Pendesë Urbane”, një park i madh horizontal dhe vertikal me pemë, lëndina dhe një hapësirë ku qytetarët mund të falen dhe të kujtojnë vitet që kanë kaluar nën hijen e kullave.
Trafiku është kthyer në një realitet paralel ku koha ndalon dhe nervat bëhen kaçurrel.
Zotohem solemnisht para jush dhe zotit se autobuzi që deri dje e keni pritur për 45 minuta, tani do të jetë elektrik, i shpejtë dhe mbajini mend fjalët e mia: Do të vijë çdo pesë minuta dhe në kohë!
Për çdo minutë vonesë, shoferi do të duhet të bëjë linjën e SPAK-ut nëse gabon.
Pas konsultimeve që kemi bërë, do të ndërtojmë edhe tunele nëntokësore për të lehtësuar trafikun, që makinat të mos shohin më dritën e diellit.
Tani e tutje, çdo lagje apo mini lagje, do të ketë dhe një fushë futbolli, jo për ta marrë me qira për dasma apo mitingje, por për t’u përdorur nga fëmijët dhe të rinjtë.
Ky transformim nuk do të jetë vetëm një projekt urbanistik, por edhe një projekt shpirtëror. Ju e dini vetë sa shumë për zemer, sa ndjeshmeri kam!
Do të kthejmë qytetet tona në hapësira ku njeriu nuk thith më pluhur, por ajër të pastër.
Nëse deri më sot jeni bezdisur nga zhurma e betonierëve, tani e tutje do të bezdiseni nga cicërimat e zogjve.
Këta të fundit, megjithëse prej dekadash kanë marrë arratinë, kemi marrë përsipër rikthimin e tyre. Po merrem vete personalisht me këtë.
E di që disa prej jush janë skeptikë. Disa mund të mendojnë se këtë po e bëj për zgjedhje.
Jo! Fare. Kam reflektuar, kam ndryshuar, dhe mbi të gjitha… kam parë disa seriale për natyrën në Netflix. Mbeta pa mend. Çfarë të shihje?!…
Ky projekt nuk është çështje socialistësh dhe demokratesh, as oligarkesh dhe varfanjakesh, sepse të gjithë thithin të njëjtin oksigjen.
Është koha që fjalën beton ta lemë në libra, në muze dhe në kujtesën e brezit tonë.
Që sot e tutje kryefjala do të jetë “bar” dhe të kuptohemi, bar nga ai i rendomti që hanë lopët dhe jo nga ai që keni në mendje disa prej jush.
Është koha që pas një beteje prej 30 e kusur vjetësh kunder, tani të bëjmë paqe me pemët.
Rroftë Shqipëria e gjelbër!
Rrofshin trotuaret!
Rrofshin hapësirat e gjelbra
Rrofshin fushat e futbollit, dhe sa më shumë gola në emër të ardhmes së gjelbër!
#Gjelbërimiqëduam

