SHEKULL I RI, VIZION I RI
TË QËNDROJMË NË PARLAMENT, TË BËHEMI PJESË E QEVERISJES ARDHSHME!
Të dashur bashkatdhetarë, legalistë kudo që ndodheni,
Partia Lëvizja e Legalitetit, duke ju uruar të gjithë shqiptarëve Gëzuar festat e fundvitit, sjell një analizë të shkurtër për vitin 2024 si një vit të mbushur me aktivitete politike dhe organizative.
Një vit i sfidave dhe angazhimit politik
Viti që po lëmë pas u karakterizua nga ngjarje të rëndësishme politike dhe zhvillime të thella, ku mazhoranca dëshmoi kapjen e saj në të gjitha nivelet e pushtetit lokal dhe qendror, duke u përballur me akuza për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.
Nga ana tjetër, opozita mbeti e përfshirë në kriza dhe mosmarrëveshje të brendshme, duke e pasur të vështirë të organizohej dhe të ngrihej në nivelin e duhur për të qenë një alternativë e bashkuar, shpresë dhe e sigurtë në besim për rotacionin e duhur në interes të qytetarëve, i cili pritet dhe do të ndodhë.
Në këtë sfond politik, Partia Lëvizja e Legalitetit ka qëndruar konsistente, duke respektuar çdo ftesë për tryeza dhe takime të organizuara nga faktorë opozitarë, gjithmonë në funksion të interesave qytetare dhe me një qasje konstruktive në secilin diskutim.
Forcimi i strukturave dhe përgatitjet zgjedhore
Si një parti e djathtë tradicionale dhe historike, gjatë këtij viti kemi punuar intensivisht për ridimensionimin dhe forcimin e strukturave tona organizative. Ky angazhim synon përgatitjen e infrastrukturës së duhur për zgjedhjet e 11 majit 2025, ku PLL synon të marrë pjesë si një subjekt i pavarur zgjedhor.
Përgjatë vitit, kemi shprehur qëndrimet tona publike dhe mediatike mbi çështje të rëndësishme politike kombëtare dhe rajonale, duke theksuar nevojën për një Reformë Zgjedhore të mirëfilltë si themel për një pluralizëm demokratik të qëndrueshëm.
Bashkëpunim dhe respekt për traditën mbretërore
Në bashkëpunim me Oborrin Mbretëror, kemi nderuar çdo datë historike që lidhet me vlerat e periudhës së Mbretit Zog I dhe vazhdimësinë e Familjes Mbretërore. Kemi dënuar ashpër çdo përpjekje, të fundit me prapavijë manipuluese politike, për të dëmtuar imazhin e Princit të Kurorës, Leka II.
Aktivitete të rëndësishme në nivel kombëtar gjatë vitit 2024
1.Konventa Kombëtare (Qershor 2024)
Në këtë konventë, u miratua platforma elektorale e PLL-së, për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, kjo e cila është tashmë publike. Konventa u shqua për pjesëmarrjen e drejtuesve të PLL nga SHBA dhe vendet e BE-së, duke shënuar një moment të rëndësishëm në projektimin e së ardhmes së partisë.
2. 100-vjetori i Triumfit të Legalitetit (Dhjetor 2024)
Në bashkëpunim me Oborrin Mbretëror, u organizua një aktivitet kombëtar për të përkujtuar këtë datë të rëndësishme, duke përcjellë një mesazh të qartë për vazhdimësinë e vlerave tona:
PËR NJË TRIUMF TË DYTË TË LEGALITETIT.
2025: Një vit përcaktues për të ardhmen e vendit
Viti 2025, si një vit zgjedhor, mbart një rëndësi të veçantë politike. Partia Lëvizja e Legalitetit beson se rotacioni i duhur politik është i domosdoshëm për të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike, politike dhe sociale. Synimi ynë është të rikthejmë shpresën dhe besimin tek qytetarët, të forcojmë familjen shqiptare dhe të ndalim fenomenin e zbrazjes dhe shpopullimit të vendit.
Urimet tona për një vit më të mirë
Duke ju uruar edhe njëherë Gëzuar festat e fundvitit, shpresojmë dhe besojmë se viti 2025 do të jetë një vit më i mbarë, me suksese dhe arritje të reja për të gjithë shqiptarët.
Shekulli i Ri, Vizion i Ri!
#NEBëjmëShtet#
GËZUAR!

