Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e kësaj të mërkure në Tiranë, ku dy persona kanë humbur jetën si pasojë e asfiksimit nga rrjedha e gazit në banesë.
Viktimat janë shtetasit Altin Maksuti rreth 47 vjeç dhe Vladimir Bengu rreth 56 vjeç, teksa ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:20, në rrugën “Marije Kraja”.
“Dyshohet se janë asfiksuar nga rrjedhja e gazit, pronari i banesës, shtetasi A.M, rreth 47 vjeç dhe një afërm i tij i largët shtetasi V.B, rreth 56 vjeç, të cilët kanë humbur jetën sipas konfirmimit të stafit mjekësor.” – thuhet në njoftimin e Policisë.
Burime për mediat bëjnë me dije se Altin Maksuti jetonte me familjen e tij në Greqi dhe prej disa kohësh ishte kthyer për të rikonstruktuar banesën në Tiranë.
Dyshohet se dy viktimat kanë qenë në gjumë dhe e kanë harruar ngrohësen ndezur.
Nuk dihet saktësisht nëse ata kanë ndërruar jetë ditën e djeshme apo sot.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave dhe hetimin e plotë të ngjarjes.

