Ish-kryeministri dhe Kryetari i PD-së, Sali Berisha rikthehet sot në Kuvend pas 11 muajsh privim.
Ai do të marrë pjesë në seancën e sotme ku do të votohet nen për nen projektbuxheti i vitit 2025.
Kujtojmë se Berisha rikthehet pas gati 1 viti mungesë për shkak të arrestit shtëpiak.
Lideri demokrat, buxhetin prej 8.2 mld eurosh e ka konsideruar si draftin e vjedhjeve të mëdha.
Berisha njoftoi një ditë para se Kuvendit i janë paraqitur edhe 2 amendamente në buxhet me firmën e tij.
Ai paralajmëroi dje rikthim të fuqishëm në Parlament.
“Ju jeni dëshmitarë se si dritarja zëvendësoi Parlamentin dhe Edi Rama në fjalimet e tij shprehte vrerin e papërmbajtur ndaj dritares. Kështu që unë kthehem nesër në Parlament, në vazhdim të betejës sime gjer në fitore. Kjo është!”- u shpreh lideri demokrat.
Grupi parlamentar i PD-së para pak ditësh depozitoi 34 amendamente për buxhetin e vitit të ardhshëm, mes të cilave 2 mbajnë firmën e Berishës.
Gjatë ditësh së djeshme Berisha zhvilloi një tryezë të përbashkët me tri departamentet e PD: të Ekonomisë, Financave Publike dhe Sipërmarrjes, për të diskutuar mbi projektbuxhetin 2025. Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së nënvizoi se duhet të caktohet minimumi jetik prej 200 eurosh, ndërsa premtoi se rroga minimale do të jetë 500 euro.
“Në buxhetin e parë të PD, minimumin jetik, 200 euro si fillim dhe është 3 herë më i vogël se në Itali. Mbi këtë minimum jetik do të rriten pensionet me 20%, me objektiv dyfishimin e tyre, do të rriten rrogat minimale. Rroga minimale do të jetë 500 euro dhe nuk do të ketë pagë nën 500 euro, pavarësisht nga efektet që mund të më thotë kush se do ketë në punësime e të tjera me radhë. Rroga mesatare do të jetë 1200 euro, rroga maksimale nuk do të lëvizë, jo”, tha Berisha.

