• Është ngjarje e paralajmëruar shumë e shumë herë nga ekspertë të arsimit, nga sociologë e prindër që prej vitesh, me fakte, janë shprehur se shkolla është kthyer në vatër kriminaliteti.
• Është ngjarje e paralajmëruar prej historikut të saj, që lindi e kulmoi në shkollë, përmes komunikimit verbal, për të cilën nuk u ndjenë psikologë, oficerë sigurie, mësues e drejtues të shkollës.
• Është ngjarje e paralajmëruar nga të dhënat e testimeve ndërkombëtare nga ku ngrihet alarmi për rritjen e klimës konfliktuale në shkollë, të dhunës fizike e psikologjike, diskriminimit, bulizmit, mospërfshirjes etj.
• Është ngjarje e paralajmëruar edhe për gjithë rrugëtimin që mori më pas nga qeveria partiake, e cila heshti dhe devijoi analizën për të mos shprehur e mbajtur asnjë përgjegjësi.
➢ Vrasja e Martinit, engjëllit të Fan Nolit, një prej shkollave më të mira në Tiranë, do duhej të kishte turpëruar gjithë drejtuesit e shkollës në linjë vertikale, ministren e arsimit, O. Manastirliu dhe kryeministrin Rama, për të mos ditur ku të fusnin kokën, por ndodhi e kundërta. Asnjë shprehje përgjegjësie nga shkolla dhe drejtuesit e saj, ku dërgojmë dhe besojmë fëmijët, vetëm larje duarsh nga përgjegjësit që paguhen me taksat e qytetarëve, edhe pse konflikti mes adoleshentëve ka lindur në shkollë, edhe pse krimi ka ndodhur gjatë kohës së mësimit, edhe pse prindërit nuk kanë pasur asnjë sinjal për historikun e ngjarjes, edhe pse vrasësi ka shkuar me thikë në shkollë.
Për çfarë përgjigjet shkolla, drejtoritë arsimore e ministria e arsimit, nëse nuk përgjigjen për sigurinë e nxënësve në mes të Tiranës? Ministrja na u shfaq më e ftohtë dhe e akullt se zakonisht dhe me një lëvizje të dorës vijëzoi kufijtë e fajit, duke e lënë veten, si edhe në shëndetësi, përherë dorëjashtë. Sfiduese u shfaq edhe më pas në biseda gëzimsjellëse me kolegët, kur pjesa opozitare e kuvendit kërkoi pak heshtje në shenjë përshpirtjeje për adoleshentin. Për sigurinë e fëmijëve nuk shpreh asnjë përgjegjësi, për rezultatet rrënuese, të nxjerra nga vlerësime ndërkombëtare, ministrja nuk përgjigjet, por për çfarë punon sistemi arsimor i nxënësve shqiptarë, vetëm për të publikuar foto të bukura në rrjete sociale dhe për të emëruar në pozicione drejtuese militantë të rilindjes e drejtuese që s’kanë pikë lidhje me arsimin!
➢ Qeveria e hoqi fajin nga vetja por edhe shkakun e aktit kriminal e gjeti në rrjete sociale, tik-tok-u dhe snapchat-i. Pa folur drejtësia foli kryeministri dhe menjëherë në rrjete grupesh komunikimi mes prindërve erdhi draft-ligji për rregullimin e rrjeteve sociale. Në peticion – siç tregohet edhe në foto- burimi i vrasjes së Martinit deklarohet se ‘nisi nga rrjetet sociale’. Kush e nxori këtë përfundim menjëherë pas ndodhjes së aktit fatal, ndërkohë që drejtësia ende nuk ishte shprehur? Pa asnjë dyshim, ka një lidhje të shkurtër mes pohimeve të kryeministrit e turit të O. Manastirliut nëpër shkolla për të mbyllur rrjete sociale dhe peticionit të servirur, për të devijuar burimin e konfliktit. Nga ana tjetër, jam e bindur se mbyllja e platformave të rrjeteve sociale nuk është zgjidhja që ndreq problemet e thella që ka arsimi ynë, përpos se davaritja e vëmendjes nga kobi që e ka zënë për fund atë.
➢ Kryeministri i vendit doli në mënyrë profetike për të marrë të gjitha masat e duhura për zgjidhjen e çështjes dhe si përherë shenjëstroi opozitën pse bën opozitë dhe pse kërkon mbajtje të përgjegjësisë për aktin më të rëndë në historinë e arsimit shqiptar. Fobia e kryeministrit është opozita, pse kundërshton opozita, pse reagon, pse kërkon marrjen e përgjegjësive nga ana e qeverisë; pra, pse opozita kryen detyrën për të cilën ka marrë votëbesimin e qytetarëve. Kjo është e rëndësishme për kryeqeveritarin, por jo shqyrtimi i gjendjes skandaloze ku gjendemi.
➢ Heshtja e medias, analizat e varura dhe mosdalja e përfaqësuesve të institucione drejtuese arsimore në debate publike me ekspertë të fushave, por bishtnimi i tyre me postime në rrjete sociale e me buzëqeshje elektorale është turpi i kësaj qeverie, që nuk guxon të përballet me të vërtetën dhe luan me pafajësinë e adoleshentit.
➢ Devijimi i analizës dhe i hetimit të ngjarjes së zezë, që me sa duket, ditë pas dite, edhe pse nxënës të tjerë të përfshirë në përleshje flasin për më shumë se një person, edhe pse prindër e të dhëna të bëra publike flasin edhe për një autor tjetër në krim, ngjarja po merr tjetër rrjedhë.
➢ Engjëlli Martin po sheh teatrin që po luhet këtu: ku vrasësi po del në pozicion mbrojtjeje; drejtuesi i lartë i policisë heq emrin e djalit të zyrtarit të lartë nga hetimi; akuza e shokut të tij, Luisit, pjesë e përleshjes, për një të dytë vrasës hidhet poshtë; ndërkohë që prokurorja e çështjes me lidhje të afërta familjare me rilindjen, Alma Felaj drejton hetimin dhe Spitali ushtarak deklaron se Luisi nuk ka nevojë të mjekohet jashtë vendit. Engjëlli sheh Manastirliun, kobin e shëndetësisë dhe të arsimit, që me një shkresë nuk lejoi ambulancën të shkonte në pavionin e kardiologjisë për të marrë ndihmën e parë të specializuar, por e dërgoi Martinin në spitalin e traumës, ku nuk gjenden mjetet e domosdoshme.
Këto vite për ngjarje që tronditin rrënjët e shoqërisë ka angazhim të veçantë për të mos politizuar çështjen, e dukshme kjo edhe në këtë rast shumë të rëndë, si në komunikime në grupe prindërish, në protestë e zhvilluar, në komunikime publike- sa çdo analize e reagimi i përgjigjet shprehja standarde: mos e politizoni, ky është gjykim i politizuar.
E këtu më duhet të theksoj se reagimet e protestat para së gjithash janë politike, sepse kundërshtojmë politikat që drejtojnë arsimin (në këtë rast), drejtësinë (në këtë rast), shëndetësinë (në këtë rast) dhe qeverinë (në çdo rast), politika të cilat ndërmerren në kuvend me pjesëmarrjen e përfaqësuesve tanë.
Protestat janë politike se çdo qeveri bazohet dhe kryen veprimtarinë e saj sipas një programi politik, sepse personat që drejtojnë institucionet janë politikë, sepse premtimet e rilindjes për cilësinë e shkollave, për sigurinë e nxënësve, rezultatet e testimeve, të kurrikulave shkollore, të infrastrukturës digjitale, janë premtime politike dhe vetëm politike, ndaj mos kini frikë të protestoni edhe për ngjarjen më të zezë që tronditi përtej Shqipërisë.
Edhe kur gishti tregues shkon tek modelet që ndjekin fëmijët, fajin e ka qeveria për të cilën qytetarët kanë humbur krejtësisht besimin për arsim cilësor dhe janë detyruar ta dërgojnë fëmijën në shkollën më të mirë, nga ku morën dhimbjen përvëluese për gjithë jetën. Edhe kur shënohet shoqëria, rrjetet sociale, ekonomia, burimi i tyre sërish është politika, ndaj s’kemi kujt t’ia drejtojmë tjetër protestën përveç se qeverisë për një humbje groposëse kaq të thellë.
Vrasja e Martin Canit nuk është vetëm tragjedia e një fëmije 14 vjeçar, por shprehje e plotë e kulmit të tragjedisë zhbërëse të një kombi, që ka humbur besimin tek të gjitha institucionet shtetërore dhe te qeverisja më shumë se 11-vjeçare e e E. Ramës; tek rilindja e etërve, që ka rrënuar në rrënjë shtetin, është shprehje e topitjes së gjatë të reagimit qytetar, prindëror e të specialistëve përkatës, e ngrirjes së nervit intelektual e njerëzor për të kundërshtuar gjëmat e partisë-shtet, e topitjes së ndjenjës e përgjegjësisë individuale dhe shoqërore për të reaguar fuqishëm kundër zvetënimit të gjithëkahshëm, që tashmë ka gllabëruar edhe jetë fëmijësh.

