E tronditur tej përfytyrimit për humbjen e jetës së një fëmije, të një nxënësi 14-vjeçar, të cilët prindërit e nisën për në shkollë në mëngjes dhe lajmi i kobshëm i ngjarjes tragjike i shpuri ata në spitalin ushtarak për ta parë për herë të fundit të birin;
e kthejllët si çdo herë, sa dhe e qartë për cilindo shqiptar për greminën ku e keni hedhur arsimin e sidomos sigurinë e nxënësve, të fëmijëve të shtrenjtë, që janë kuptimi i jetës sonë;
me keqardhje të thellë për ngjarjet e tmerrshme që ndodhin një pas një e që sot përgjakën rrugët e qendrës së Tiranës, me keqardhje ndaj reagimit tuaj dogmatik- ju bëj thirrje, znj. O. Manastirliu, në emër të njeriut, qytetares, nënës e pedagoges e njëherësh në emër të drejtueses së Departamentit të Arsimit të Partisë Demokratike të hiqni dorë nga pozicioni qe mbani, sepse nga shpërfillja juaj po ndodh pllakosja e zezë e jetës së nxënësve shqiptare, të hiqni dorë nga drejtimi që ka për pasoje zezonat pa fund me të cilat përplasen fëmijët sot.
Sot humbëm Martinin, të zgjuarin, gazmorin e hokatarin e klasës IX të shkollës Fan Noli që e donin të gjithë shokët e shoqet- e pabesueshmja ka ndodhur ditën për diell sapo ka mbaruar mësimi, duke lënë pa fjalë këdo.
Znj. Manastirliu,
dorëheqja mbetet akti i vetëm se mund të keni ende nje fije humanzmi – apo vetëdijeje se do të përgjigjeni një ditë për shumëçka -se profesionalizmi është parë herët që nuk gjen strehë për gjë te ju.
Dorëhiquni për të shprehur se mbase ju ka mbetur një fije përgjegjësie prej nëne, dorëhiquni në shprehje të mbingopjes, mbase, me dështime rrënuese se arritja – qoftë edhe e vetme- nuk ka lidhje me ju.
Dorëhiquni në shprehje, ndoshta, të dhimbjes apo si reflektim shpirtëror për paqe të mëtejshme, se tronditja e gropa e arsimit dihet se ju begaton.
Zonja Manastirliu, shtrëngova time bijë kur mora lajmin e zi – bashkëmoshatare me adoleshentin e mirë që sapo u ripërtëri në engjëll, teksa i dridhej zëri e zemra porsi purtekë, pashë fëmijë të shokuar, lot e frikë, pashë lot në sytë e prindërve të befasuar e të shqetësuar nga mënxyra e të trembur për fëmijët e tyre,
ndërkohë që ju ministreshë, padyshim, keni punë e halle plot, tashmë në fushatë, për t’i zgjidhur popullit.
Por, mendoni këtë herë të vetme për veten ministreshë dhe para se të përrallosësh në parlament zgjidh hallin tënd e të të gjithëve: jep menjëherë dorëheqje.


