Tashmë edhe me prova sesi Ministria e Shëndetësisë është përfshirë në tendera, të cilët nuk kanë për qëllim sigurimin e kimiove që mungojnë, por fshehjen e mungesave të ilaçeve në Onkologjik.
Bëhet fjalë për phesgo(kimio) përdoret për kancerin e gjirit. Klinikisht është vërtetuar se ky bar ka një përgjigje shumë të mirë në këtë lloj kanceri.
Protokolli i këtij medikamenti e kërkon që një paciente me kancer gjiri të nisë trajtimin me phesgo 1200/600 (seanca e parë) dhe më pas phesgo 600/600.
Çfarë kanë bërë këta?
Në prill të 2024 Farmacia Qëndrore në QSUNT, lidh një kontratë 6 mujore, për të marrë vetëm 5 phesgo (flakon) 1200/600. Kontrata do mbaronte në tetor 2024. Pra i bie që për 6 muaj, në terapi (phesgo) të jenë futur vetëm 5 gra me kancer gjiri. Si i kanë përzgjedhur mjekët se kush pacient do të futet në këtë trajtim?
Muaji tetor, muaji rozë, e ka gjetur Farmacinë Qëndrore pa këtë medikament shumë të rëndësishëm për trajtimin e kancerit të gjirit.
Çfarë kanë bërë që mos të publikohej kjo mungesë?
Farmacia Qëndrore bën një tjetër kontratë në shtator të këtij viti, ku siguron vetëm 3 phesgo. Pra kontratë për të blerë 3 phesgo 1200/600. Dhe e dini se çfarë ndodhi me to?
Nuk ia dhanë grave që kishin nevojë, por i lanë në depo, për të treguar se gjendje ka dhe nuk ka asnjë mungesë.
Kjo është kriminale. Nëse këta mendojnë se duke mbajtur në gjendje (depo) ilaçe kimio, që si kanë, do të shpëtojnë, e kanë shumë gabim. Si mundet të bësh një kontratë për vetëm 3 flakonë dhe këta i mban në depo pa i lëvizur? Cili është qëllimi?
Madje mjekët onkologë i erdhën në ndihmë këtij skenari. Si? Nuk fusnin më pacientë të rinj në trajtim me phesgo.
Mjekët onkologë nuk duhet të bëhen pjesë e këtyre lojrave, që pacientëve u kushton jetën. Mos zbatoni urdhërat e shefave, për të mos shënuar në receta mjekimet e duhura, dhe sipas protokollove, sepse do të përfshiheni në vepra penale.
Pacientët nuk mund të trajtohen me çfarë ka Farmacia Qëndrore. Pacientët duhet të trajtohen sipas protokollit dhe pikë.

