Gjykata në Romë ka vendosur sërish pezullimin e ndalimit të 7 emigrantëve që u sollën në Shqipëri të premten, duke dhënë urdhër që ata të largohen nga qendra e Gjadrit dhe të rikthehen në Itali.
Në vendimin e gjykatës së Romës thuhet se kjo çështje i referohet Gjykatës Evropianë të Drejtësisë. 7 emigrantët e sjellë në qendër të premten e kaluar do të transferohen në Brindisi, Itali.
Gjashtë gjyqtarë të seksionit të imigracionit të Gjykatës së Romës kanë vendosur mbi urdhrat e ndalimit të shtatë emigrantëve.
“Duhet theksuar se kriteret për përcaktimin e një shteti si vend të sigurt të origjinës përcaktohen nga ligji i Bashkimit Evropian. Prandaj, pa cenuar prerogativat e ligjvënësit kombëtar, gjyqtari ka për detyrë të verifikojë gjithmonë dhe konkretisht – si në çdo sektor tjetër të sistemit juridik – zbatimi korrekt i së drejtës së Unionit, i cili mbizotëron mbi të drejtën kombëtare kur është i papajtueshëm me të, siç parashikohet edhe nga Kushtetuta italiane”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Gjykatës së Romës.

