Vladimir Putin në dijeni për ndalimin e zyrtarit të lartë Timur Vadimovich Ivanov, i cili u njoftua të martën mbrëma
Rusia ka arrestuar një zëvendësministër të mbrojtjes me dyshimin për marrje ryshfeti, njoftoi komiteti hetimor i vendit të martën mbrëma.
Presidenti Vladimir Putin, u informua për ndalimin e zyrtarit të lartë, Timur Vadimovich Ivanov, në një veprim të rrallë në mes të ofensivës në Ukrainë, njoftuan mediat shtetërore ruse.
Aktivistët kundër korrupsionit kanë kritikuar për vite me radhë atë që ata thonë se është korrupsioni i përhapur nën sundimin e Putinit.
“Zëvendësministri i Mbrojtjes i Federatës Ruse Timur Vadimovich Ivanov është arrestuar nën dyshimin për kryerjen e një krimi sipas pjesës 6 të nenit 290 të Kodit Penal (marrja e ryshfetit)”, tha komisioni në Telegram.
Komisioni nuk dha më shumë detaje.
Vepra dënohet me gjobë të madhe ose më shumë se një dekadë burg, në varësi të detajeve të krimit.
Ivanov është nën sanksion nga Bashkimi Evropian si zyrtar i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes, i ngarkuar me ndërtimin e objekteve ushtarake.
Ai ishte subjekt i një hetimi të botuar në vitin 2022 nga Fondacioni i ndaluar Kundër Korrupsionit, i cili u krijua nga lideri i ndjerë i opozitës Alexei Navalny.
Aty thuhej se zëvendësministri mbikëqyrte – dhe përfitoi nga – projektet e ndërtimit në Mariupol të Ukrainës, i cili ra nën kontrollin e Moskës pas një rrethimi prej muajsh.
Sipas hetimit nga organizata, e cila është ndaluar në Rusi për “ekstremizëm” të dyshuar, ministri u divorcua nga gruaja e tij për ta lejuar atë të anashkalonte sanksionet e BE-së.
“Sot është një ditë e mirë,” tha në mediat sociale Maria Pevchikh, kreu i hetimeve në fondacion.
Ashtu si shumica e figurave të profilit të lartë të opozitës, zonja Pevchikh u detyrua në mërgim nga represioni i Kremlinit.
Shumica e opozitës që mbeten në Rusi janë pas hekurave.
Navalny, i cili nxiti masat duke ekspozuar korrupsionin nën Putinin, vdiq në burg në shkurt.
Nga telegraph.co.uk


