Një vajzë 19-vjeçare ka vrarë babain e saj në Shënvlash të Durrësit dhe e ka varrosur në oborrin e banesës duke fshehur ngjarjen.
Familjarët e tjerë ndërkohë, kishin bërë kallëzimin për zhdukjen e kryefamiljarit.
Pas 10 ditësh hetime, blutë e Durrësit arritën të zbulonin kufomën dhe të zbardhnin krimin. E reja pranoi të jetë ajo autorja e vrasjes dhe groposjes së trupit. Shkaku që sipas saj e ka çuar në kryerjen e krimit ka qenë nxitja prej babait për t’u fejuar pa dëshirën e saj, si dhe konfliktet familjare që kanë patur.
Në pranga u vu Hygerta Meta, e akuzuar për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” në dëm të të atit Pëllumb Meta, 50 vjeç.
Hetimet për rastin vijojnë për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të implikuar në ngjarje.
Kallëzimi për zhdukje nga i biri:
Rreth orës 22:30 të së martës së 13 Shkurtit, djali 25-vjeçar i Pëllumb Metës është paraqitur në komisariat për të denoncuar zhdukjen pa gjurmë të të atit.
I riu ka deklaruar para uniformave blu se babai ishte larguar nga banesa dhe se familja kishte humbur kontaktet me të.
Pas këtij kallëzimi, efektivët kanë nisur kërkimet dhe tre ditë më vonë (17 Shkurt) kanë gjetur automjetin e parkuar të 50-vjeçarit në aksin rrugor Shënavlash-Sektor Rinia.
Grupi i posaçëm hetimor i ngritur për këtë rast, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, vijoi hetimet dhe kërkimet, pasi dyshohej se 50-vjeçari ishte zhdukur.
Megjithatë, hetimet zbuluan se 50-vjeçari nuk ishte zhdukur, por ishte vrarë në banesë. Dhe se autore e vrasjes së 50-vjeçarit është vajza e tij, Hygerta Meta, 19 vjeçe – e cila është arrestuar për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”. Trupi i pajetë i kryefamiljarit u gjet i varrosur brenda rrethimit të banesës.
“Donte të më fejonte”
Vajza ka deklaruar para hetuesve se motivi i vrasjes ka qenë nxitja prej babait, për t’u fejuar pa dëshirën e saj, si dhe konfliktet familjare që kanë patur.
“Grupi i posaçëm hetimor po vijon hetimet e thelluara për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore, shtetas të tjerë të implikuar në këtë ngjarje”, thuhet në një njoftim të policisë.
Trupi i Pëllumb Metës ndërkohë është zhvarrosur dhe është transportuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e ekspertizës së mëtejshme.
(Foto ilustruese)



