Ngjarja rëndë e ndodhur ditën e djeshme në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku 34-vjeçari Renato Muhaj, ka vrarë ish-bashkëshorten e tij Suela Saliaj, ka shokuar banorët e fshatit Ngraçan në Mallakastër, ku e ndjera ka kaluar fëmijërinë e saj. Me lot në sy banorët tregojnë se vajza dhe familja e saj ishin njerëz tepër të nderuar në zonë dhe nuk mendonin kurrë se martesa e saj do të kishte një fund të tillë tragjik.
Një banore tregon se e ndjera Suela Saliaj ishte rritur së bashku me vajzat e saj, ndërkohë që ende ruanin lidhje në rrjetet sociale. Në Ngraçan banesa e familjes Saliaj është e mbyllur, pasi prej vitesh aty nuk banon askush teksa tek të gjithë banorët kanë mbetur tashmë vetëm kujtimet e mira dhe dhimbja për vajzën e vrarë nga ish-bashkëshorti. Renato Muhaj u arrestua nga policia pak orë pasi vrau ish-bashkëjetuesen e tij Suela Saliaj, ndërsa tashmë do të përballet në gjykatë me disa akuza penale në ngarkim të tij.
Mallakastra News

