Më shumë se 760 fluturime u anuluan në aeroportin e Mynihut të shtunën për shkak të borës së madhe, e cila ka goditur pjesën më të madhe të Gjermanisë, Austrisë dhe Zvicrës .
Ndërkohë, për shkak të borës janë pezulluar edhe shërbimet e autobusëve dhe tramvajit dhe disa shërbime të trenave në Mynih. Stacioni kryesor i trenit i Mynihut u mbyll për të ardhurit, ndërsa shërbimet ndërqytetëse u pezulluan plotësisht.
Policia të shtunën u kërkoi banorëve të Mynihut të mos përdorin makinat e tyre nëse nuk është absolutisht e nevojshme.
Në disa zona të Bavarisë jugore, banorëve iu kërkua të mos largoheshin fare nga shtëpitë e tyre, për shkak të kushteve të motit, raportoi CNN.



