Të blesh një shtëpi në Tiranë dhe Shqipëri është një endërr që në 10 vitet e fundit u shndërrua në një brengë dhe pamundësi.
Futja e parave që vinin nga veprimtari të errëta dhe futeshin në industrinë e ndërtimit e shndërruan vendin tonë në një lavatriçe gjigande ku ndërtoheshin qiellgërvishtës që do të linin në hije Parisin, New York, Milanon, Barcelonën dhe çdo kryeqytet tjetër të botës, veç Dubait.
Investitor shqiptar dhe të huaj, shpesh me emra e kompani fasadë a guack u turrën në tokën shqiptare për të rrëmbyer çdo hapësirë të mundshme për ndërtim.
Rritja e çmimeve ishte e befasishme dhe stratosferike sa dëshira për të patur një banesë mbeti vetëm mundësi e një grushti njerëzish.
Lekë që vijnë nga kanale të dyshimta ose të paverifikuara, shto këtu edhe rritjen e çmimeve të materialeve të ndërtimit, rritjen e taksave, tarifave, referencave qeveritare, bëri që çmimet në vendin më të varfër të Evropës të tejkalonin faktin e vendeve me të ardhura të larta për frymë.
Të rinjtë e familjeve shqiptare, gjendur në këto rrethana, të pamundur për të zotëruar një banesë sado të vogël, hodhën sytë nga ‘arratia’.
Por duket se, diçka po ndryshon…
Javët e fundit, në tregun imobilar vihet re një tendencë e uljes së çmimit të banesave deri në 10% të njoftimit të mëparshëm, ndonjëherë dhe më tepër.
Në fakt, kjo dukuri ishte e paralajmëruar që do të ndodhte një ditë.
Ndërtimet e pafund, largimet e familjeve shqiptare, varfëria dhe kriza e përgjithshme bëjnë që kërkesa të zbres edhe pse ky është fillimi i ‘humnerës’
Nëse vëren me kujdes njoftimet individuale ose të agjencive të shitjes së pronave, konstaton diferencën e dukshme në rënien e çmimeve, por edhe njoftimin vijues: Çmimi i negociueshëm përsëri.







