Përgatiti Besnik Ismailati
“Natyrë Libohove”
VLERAT SHËNDETËSORE TË KOKRRAVE TË ULLIRIT
Pema e ullirit (Olea europaea) është një bimë me jetëgjatësi ekstreme “nun sicca mai”, (nuk thahet kurrë) e familjes Olaceae, me gjelbërim gjithëvjetor, i cili rritet në të gjitha vendet me klimë të butë, veçanërisht në Mesdhe. Pema e ullirit jeton shumë gjatë. Jetëgjatësia e tij mund të shkojë mbi 3000 vjet. Ulliri me moshën më të madhe në botë, pothuajse 4000 vjeçare ndodhet në ishullin e Kretës në Greqi. Që në kohët e lashta frutat e ullirit kanë patur një rëndësi të madhe ushqyese për njeriun, shumë më përpara se të prodhonin vajin e tij. Paraardhësit tanë e konsumonin ullirin si një burim i shkëlqyer ushqimi, relativisht i lehtë për t’u gjetur dhe për t’u ruajtur. Ka shumë dëshmi historike dhe arkeologjike për këtë temë. Eksperti i madh romak i bujqësisë Kolumela (shekulli I pas Krishtit), dha receta për përgatitjen e ullinjve të grimcuar dhe të aromatizuar me përbërës të shumtë si: musht, uthull, fara kopre, etj. Ulliri do të thotë kulturë, ekonomi, territor, peizazh, lidhje mes popujve. Ai është simbol i paqes dhe tipar i përbashkët mes popujve të Mesdheut.
Dita Botërore e Ullirit e vendosur nga UNESCO festohet më 26 nëntor të çdo viti. Ajo ka në qendër të vëmendjes vajin e ullirit, një ushqim unik, i paimitueshëm, i shëndetshëm, një komponent themelor i dietës mesdhetare.
Ullinjtë përbëjnë një simbol të vërtetë si ushqim me shumë vlera , por në mënyrë të veçantë ata na japin edhe vajin e ullirit dhe atë ekstra të virgjër të vlerësuar e të përdorur në çdo cep të botës. Ullinjtë e zinj apo edhe ata të gjelbër përdoren në shumë receta gatimi pa i bluar në mulli, por edhe si lëndë e parë për prodhimin e vajit të ullirit dhe produkteve të tjera në shërbim të shëndetit tē njeriut.
Kokrrat e ullirit kanë një përmbajtje të lartë të lipideve komplekse energjitike, të quajtura trigliceride, yndyrna me efekte pozitive dhe shumë të rëndësishme siç janë karbohidratet dhe proteinat. Përbërja e tyre karakterizohet nga mbizotërimi i yndyrnave të pangopurave të cilat favorizojnë metabolizmin e kolesterolit dhe lehtësojnë ruajtjen e ushqimit, duke e bërë atë shumë të dobishëm edhe në proceset e gatimit. Gjithashtu ato përmbajnë edhe një sasi të mjaftueshme të niacinës, vitaminës B3 ose PP , e cila duke u thithur nga ushqimi, transportohet nga gjaku në qelizat e trupit dhe shndërrohet në forma biologjikisht aktive mjaft të dobishme për metabolizmin. Përmbajtja e hekurit dhe kaliumit i bën të afta kokrrat e ullirit të nxitin oreksin dhe tretjen e ushqimeve.
Kokrrat e ullirit të zi dhe të atyre jeshil kanë përbërje të ndryshme si më poshtë:
Ulliri i zi (100 g): rreth 69 g ujë; 25 g yndyrë; 1,6 g proteina; 0,8 g karbohidrate; 3.9 g fibra.
Ulliri jeshil (100 g): rreth 77 g ujë; 15 g yndyrë; 0,8 g proteina; 1 g karbohidrate; 3 g fibra.
Ndërsa përmbajtja nga pikëpamja e mineraleve (kalium, natrium, hekur, kalcium, magnez, fosfor, zink, bakër) dhe vitamina (A dhe E), është e ngjajshme. Ullinjtë përmbajnë edhe antioksidantë të shumtë, si: kuercetinë , oleuropeinë, tyrosol, hydroxytyrosol , acide dhe aminoacide të ndryshme. Sasia e kalorive është rreth 115 kcal për 100 g.
Vlerat shëndetësore të ullirit:
Falë yndyrave të tyre të pangopura, ullinjtë ndihmojnë në uljen e rrezikut të ateriosklerozës dhe janë të dobishëm për rritjen e kolesterolit të mirë. Ata përmbajnë lëndë ushqyese antioksidante (veçanërisht ullinjtë e zinj) që ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve të zemrës. Sipas disa ekspertëve, konsumi i kokrrave të ullinjve favorizon rënien në peshë, falë përmbajtjes së seretoninës, e cila çon në rritjen e ndjenjës së ngopjes; me vetitë e tyre antioksiduese dhe anti-inflamatore, ullinjtë ndihmojnë në parandalimin e stresit kronik oksidativ, duke luajtur një rol të rëndësishëm në parandalimin e kancerit dhe inflamacionit kronik. Ullinjtë e zinj janë të pasur me vitaminë E , të cilët kanë aftësinë të neutralizojnë radikalet e lira në yndyrën e trupit, duke i bërë proceset qelizore më të sigurta; vetitë analgjezike të ullirit përftohen në saje të përmbajtjes të një molekule të quajtur olecanthal, e izoluar midis polifenoleve të vajit të ullirit ekstra të virgjër, që e bën vajin një anti-inflamator natyral të shkëlqyer, të ngjashëm me ibuprofenin që njihet si një substancë kimiko-farmaceutike që përdoret për të qetësuar shumë sëmundje, veçanërisht ato osteo-artikulare; mirëqenia e lëkurës dhe flokëve me përdorimin e ullirit realizohet si rezultat i përmbajtjes së acideve yndyrore, antioksidantëve dhe vitaminës E. Ullinjtë e zinj parandalojnë plakjen e lëkurës, hidratojnë, i mbrojnë ata nga rrezatimi ultravjollcë. Vaji i ullirit i përzier me ujë të ngrohtë përpara larjes normale të flokëve , shton jetëgjatësinë e flokëve; ullinjtë kanë efekt antihistaminik. Sipas kërkimeve shkencore, konkludohet se ekstraktet e ullirit përmirësojnë dhe rritin qarkullimin e gjakut, ulin efektet e sëmundjeve si astma, duke vepruar si antihistaminikë në nivel qelizor; kokrrat e ullirit janë një burim i shkëlqyer i hekurit. Nëse dikush vuan nga mungesa e hekurit, indet e trupit të njeriut nuk thithin mjaftueshëm oksigjen dhe për rrjedhojë shpesh herë ai ndjehet shumë i dobët. Prandaj, ngrënia e ullinjve mund të jetë një metodë e mirë për të luftuar natyrshëm këtë problem; ullinjtë përmirësojnë shëndetin e syve falë përmbajtjes të vitaminës A, e cila është shumë e dobishme për shëndetin e tyre kundër kataraktit dhe sëmundjeve të tjera të tij që lidhen me moshën.
Vetitë shëndetësore të gjetheve të ullirit:
Gjethet e ullirit kanë veti aktive kuruese kundër mikroorganizmave patogjenë (viruse, baktere, kërpudha, etj.) dhe për këtë arsye janë në gjendje të mbrojnë organizmin kundër infeksioneve. Ato janë në gjendje të mbështetin sistemin imunitar dhe të veprojnë pozitivisht në sistemin kardiovaskular duke përmirësuar presionin e gjakut , por edhe duke ribalancuar vlerat e kolesterolit. Ato kanë efektete të dobishme edhe në zemër , pasi përbërësit aktivë që përmbahen në gjethen e ullirit janë në gjendje të rritin elasticitetin e arterieve, përmirësojnë qarkullimin dhe presionin e gjakut dhe për rrjedhojë ulet edhe rreziku kardiovaskular. Veti të tjera të gjetheve të ullirit janë efektet antioksiduese, anti-inflamatore, energjike (përmirësojnë lodhjen dhe asteninë), etheve (ulin temperaturën) dhe diuretike. Disa kërkime shkencore kanë treguar se ekstrakti i tyre është i dobishëm kundër diabetit (në sajë të veprimit hipoglicemik), por edhe sëmundjeve degjeneruese si Alzheimeri dhe kanceri.
Sa ullinj duhet të konsumojmë në ditë?
Pavarësisht përfitimeve të pamohueshme, vëmendje duhet t’i kushtohet konsumit të ullinjve të zi. Krahasuar me ullinjtë e gjelbër, ullinjtë e zinj kanë rreth 235 kilokalori për 100 gram, prandaj ata janë një ushqim me kalori që duhen vlerësuar me kujdes në dietat dobësuese. Shëllira e përdorur për kriposje më pas rrit përmbajtjen e natriumit të ullinjve të zinj, prandaj edhe konsumi i tyre duhet të jetë i moderuar dhe minimal nga njerëzit që vuajnë nga hipertensioni arterial ose mosfunksionimi i veshkave.
Për t’u ndjerë mirë dhe për të mos patur problem, shëndetësore ekspertët e të ushqyerit këshillojnë një racion ditor prej 1500 kalorish, ndërsa marrja e ekuilibruar e vajit të ullirit ekstra të virgjër është 3 lugë çaji, e barabartë me 150 kcal.
Nëse duam të zëvendësojmë ullinjtë me vaj, duhet të kombinojmë një kokërr në çdo 50 kcal; prandaj, sasia e saktë e ullinjve të zinj që mund të hahen në një ditë është 6 kokrra, të cilët mund të hahen të gjithë për drekë ose të gjithë për darkë , ose të ndarë në 3 kokrra për drekë dhe 3 kokrra për darkë. Por konsumi i tyre nuk duhet të kombinohet me vakte të kripura, sepse janë të pasura me natrium.
Kur bëjmë pyetjen:” a të pëlqejnë ullinjtë?”, duhet të dimë se fruti i ullirit është mjaft i çmuar, sepse prej tij nxirret vaji ekstra verxhine , por edhe në gjendje natyrale ai ka shumë vlera ushqyese dhe shëndetësore.
Ulliri nuk konsumohet i papjekur, megjithatë ka shumë receta dhe metoda të konservimit të tij për ta bërë atë të konsumueshëm nga organizmi i njeriut.
Frutat e ullirit konsiderohen një ushqim me shumë vlera për organizmin, pasi ata përmbajnë mjaft fitonutrientë ( ushqyes bimorë), antioksidantë dhe antiinflamatorë.
Në 100 gram ullinj të freskët përmbahen:
76.8 gram ujë, 148 gram kalori 0.8 gram proteina, 15 gram lipide, 0 gram kolesterol, 1 gram sheqerna, 3 gram fibra 64 mg kalcium, 14 mg fosfor, 1.6 mg hekur, Vitaminë A =48 mg, Vitaminë E= 1,65 mg.
Një kokërr ulliri peshon mesatarisht nga 4 në 15-20 gram. 80% e frutit të tij përmban ujë, ndërsa 10-15% janë yndyrna të llojit acid oleik, i cili ndikon mjaft pozitivisht në mbrojtjen kundër sëmundjeve të zemrës.
Ata përmbajnë pak karbohidrate, fibra dhe proteina, por përmbajnë shumë mikronutrientë siç janë vitamina E, hekuri fosfori dhe kalciumi.
Ullinjtë janë një ushqim i sigurt për tu konsumuar, por në raste të veçanta ullinjtë e kripur shkaktojnë edhe alergji. Ullinjtë e sapovjelë nga pema nuk mund të konsumohen, sepse ata kanë shijen e hidhur si rezultat i përmbajtjes së oleorupinës.
Si duhet ta kuptojmë termin për promovimin e vlerave të vajit të ullirit extravergine.
Vaji i ullirit extravergine është vaj i një cilësie të lartë që nxirret nga linjat e përpunimit të ullirit me ujë të ftohtë. Quhet vaj ulliri extra vergine origjinal vetëm atëhere kur ai djeg dhe ka hidhërimin karakteristik, kur përmban nën 1 % aciditet dhe kur nxirret në stinën e vjeshtës.
Ky lloj vaji me këto cilësi e ruan atë për një kohë të gjatë nga oksidimi, duke ruajtur kështu më së miri edhe vlerat e tij. Këto cilësi ruhen falë përmbajtjes dhe veprimit të polifenoleve dhe tokoferoleve në produktin e vajit.
Ndërsa hidhërimi falë përmbajtjes së sekoiridoideve e mbron vajin për një kohë të gjatë nga plakja. Prandaj ky lloj vaji është i garantuar në përdorim dhe me shumë vlera në ruajtjen e shëndetit. Ndryshe ai quhet edhe miku i zemrës, është antikanceroz dhe aleat i ruajtjes të zgjatjes së jetës.
Edhe në zonën tonë ulliri njihet si një pemë e kultivuar para 400- 450 vjetëve, me përfaqësues kryesor ” Vajësi i Libohovës”, “Kalinjoti” dhe llojet e reja të mbjella gjatë 30 viteve të fundit. Pavarësisht mentaliteteve, pengesave dhe argumentave absolutisht jo shkencore , se kjo zonë nuk ka kushte të përshtatshme për rritjen dhe kultivimin normal të ullirit, realiteti është krejt ndryshe. Zbatimi me fanatizëm i shërbimeve vjetore agroteknike, bashkëpunimi me kultivuesit me përvojë dhe specialistët e fushës, mbeten baza kryesore e kultivimit dhe përhapjes së ullirit kudo në pjesën parakodrinore dhe kodrinore të Libohovës dhe zonës të saj përreth.