Sapo lexova lajmin që një vajzë 22 vjeçe ka kryer aktin e vetëvrasjes duke u hedhur nga ballkoni. Ç’mund ta shtyjë një vajzë 22 vjeçe të kryejë një akt vetëvrasjeje veç një gjendjeje tejet të rënduar mendore?!
Për fat të keq, dhimbja e mendjes në shoqërinë shqiptare konsiderohet si turp, ndërkohë që duhet parë njësoj si dhimbja e shpinës, e dhëmballës apo e veshit.
Nuk është turp të të dhembë mendja, sikundër nuk është turp të kërkosh ndihmë që gjendja jote mos të përshkallëzohet deri në atë pikë, sa të marrësh vendimin për t’u ndarë nga jeta.
Kur të dhemb mendja nuk duhet të bëhesh peng i dhimbjes sate. Duhet t’i drejtohesh dikujt që mund ta shërojë mendjen tënde, por duhet t’i drejtohesh në kohë, para se dhimbja të të zotërojë dhe të të diktojë vendime përfundimtare.
Mendimi yt mund të jetë sëmundja jote dhe njëkohësisht shërimi yt. Ti je çka mendon.
Kujdesu për shëndetin e mendimit tënd, njësoj siç kujdesesh për një dhëmballë që duhet mbushur.
Post Scriptum- Psikologu ose psikiatri, thjesht do të ta shërojë mendimin tënd dhe njësoj si dentisti do të ta tregojë me pasqyrë bardhësinë e mendimit tënd pasi të ta ketë shëruar.



