Një 38-vjeçar është qëlluar për vdekje me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar në Katund Sukth (Durrës), tek shinat e trenit, pas mesnate.
Viktima është Fatjon Dervishi, me banim në Sukth, i cili ndërroi jetë në spital.
“Në Katund, Sukth, tek shinat e trenit, nga persona ende të paidentifikuar është qëlluar me armë zjarri shtetasi F.D, 38 vjeç, i cili u transportua menjëherë në spital për ndihmë mjeksore, por si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital. Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Në ndihmë të Policisë vendore janë nisur dy grupe të FNSH-së Tiranë. Grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje dhe në bashkëpunim me Prokurorin vijon veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, tha policia në një njoftim paraprak.
Viktimës dyshohet se i është zënë në pritë tek shinat e trenit në Sukth dhe është qëlluar me breshëri plumbash
Në momentin kur e kanë qëlluar, ka qenë në automjet së bashku me një shokun e tij dhe ishte duke drejtuar makinën. Personi tjetër nuk është prekur nga plumbat. Sipas dëshmisë së këtij të fundit, rezulton se ata kishin qenë në një lokal dhe po ktheheshin për në shtëpi kur janë goditur. Janë pyetur disa persona deri tani për të mundësuar zbardhjen e ngjarjes.
Viktima është banor i zonës Katund Sukth, ndërsa mësohet se ka jetuar edhe jashtë vendit.

