Mbas lajmit për ngjarjen e rëndë të ndodhur në veri të Kosovës, ku u sulmua një patrullë e policisë dhe mbeti i vrarë një efektiv ka reaguar kreu i PD-zyrtare, Lulzim Basha.
Me një status në rrjetet sociale, Basha shpreh tronditjen dhe deklaron se, jemi në krahë të policisë dhe autoriteteve të Kosovës.
Ai i bën thirrje gjithashtu autoriteteve serbe që të dënojnë dhe të distancohen nga aktet destabilizuese.
Reagimi i tij:
I tronditur nga vrasja e punonjësit të Policisë së Kosovës dhe plagosja e një tjetër punonjësi ne Leposaviq. Mendimet dhe lutjet e mija janë me familjarët dhe kolegët e punonjësit që humbi jetën në krye të detyrës si dhe për daljen nga rreziku e shërimin e kolegut të tij të plagosur.
Në këtë çast kritik të betejës kundër krimit jemi në krah të punonjësve të Policisë së Kosovës dhe autoriteteve të vendit teksa punojnë për vënien e autorëve të kësaj ngjarje të rëndë para ligjit.
Ju bëj thirrje autoriteteve të Beogradit të dënojnë dhe të distancohen prerazi nga kjo ngjarje e rëndë dhe nga gjuha e aktet destabilizuese.



