Që Fredi Beleri duhej të ishte në burg, ose së paku i hetuem siç i ka hije një hetimi në arrest, duhej! Që ku ka zà s’asht pa gja-siç thotë populli jonë i hershëm, edhe kjo asht e pashmangshme për Fredis Belerin, po që ky shqiptar i grekzuem të arrestohet për blerje votash asht si me thanë; me gjet ‘gjylbanën në kashtë’! Ose së paku, sod minimumi duhej të ishin në qeli të paktën një mijë persona, ma aktiv e ma të damshëm se Beleri, përfshi edhe hartuesit e kodit zgjedhor!
Që Fredisi asht grekoman, kjo nuk e ban emën të përveçëm! Fare, po fare ama! Shqipninë tonë e sundojnë agjendurat! I kena kudo, te Kisha, te Xhamia, te Partia, Qeveria, Akademia e Shkencave, Albanologjia, Universitetet private e sigurisht shtetnore! I kena nëpër media, biznese, shoqata e gjithçka që ka në duar diçka! Pra edhe nëse e varim Fredisin grek, të lindun te Belerët e Shqipnisë, kjo batërdia shkaterruese e jona nuk ndreqet ma: ka nji jetë që asht me ne!
Që Fredi Beleri të bahet theror nacionalizmi, prapë s`ka kuptim! Që Fredi nuk asht arrestue se bleu vota, ktë e din edhe nji fëmijë 5 vjeç, mjafton të ketë dgjue babin e mamin tue fol për 200 euroshin e marrun para 14 majit, drekat e babit me stafin e partive dhe darkat e mamit pasi ka marrë edhe lekë nga tenderi i zhgarravitjeve surratore të dikastereve tona!
Që Greqia të çohet në kamë për Fredisin e vet dhe Belerin tonë, kjo shkon matanë nesh! Shkon mu te pazaret e prishuna mes palëve qeveritare! Që pazari asht prish në Himarë, kjo s`ka asnjë dyshim! Që loja e ndyrë e tyne ka veç karrem Fredisin grek kjo s`do shumë mend me e kuptue! Ashtu siç nuk mundena mos me marr me mend se Himara tashma asht nji plaçkë në duar horrash!
Ashtu siç janë burimet tona natyrore: të gjitha të nxjerruna në pazarin e botës; mjafton që me ta të rregullohet nji mbyllje dosjeje, nji shkëmbim të burgosuni, nji transfertë e sigurt parash apo sendesh me vlerë, apo qoftë edhe nji shtrëngim duarsh në publik me një figurë ndërkombetare!
Të ishte e keqja e madhe apo e vetme Fredisi grek, na do të ishna populli ma i lumtun në botë, edhe ma të lumtun se sa finlandezët ku kryeministri dorëhiqet se i kanë shterrue idetë e qeverisjes! Dënimi i Fredisit as na ndreq e as na prish në ktë rrumpallhanen tonë, kur bahët fjalë për shit-blerje vote! Ne na ndreq punë VOTA! Ajo e SAKTA! Asgja ma shumë se sa saktësia me të cilën ka votue deri tash Kosova! Mos me shkue ma larg! As te Greqia e Fredisit, që na kërcënon me veto!
Shqipnia asht në zgrip! Dhe fatkeqesisht barbaria dhe pangopsia e shtetarve të vet e ka çue në zgrip ekzistencial! Nëse pshtohet me Fredisin grek të Belerve shqiptarë, atëherë të dënohet me burg përjetë!



