Nga Balil Gjini
“Jetojmë në një botë ku varrimi është më i rëndësishëm se i vdekuri, ku dasmat janë më të rëndësishme se dashuria, ku dukja është më e rëndësishme se dituria. Jetojmë në epokën e ambalazhit, e cila e urren përmbajtjen.”
Në shumë postime në fb thënia e mësipërme i mvishet Fan Nolit. Ama, veç e tij s’mund të jetë. Noli jetoi në një kohë kur teoricienët nuk e kishin krijuar atë që do të quhej teoria e simulakrimit, ose, si ta thuash më mirë në shqip, teoria e shëmbëllimit.
Disa nga këta teoricienë të famshëm do të ishin: Gy Debord, Jean Baudrillard, Gustave le Bon etj.
Thënia, në mos gaboj edhe unë, është e një shkrimtari latino-amerikan, Eduardo Galianos.
Por Galiano nuk ka asgjë të re në atë që thotë, sepse, merita, iu takon atyre që përmenda më lart.
Tani mund ta merrni me mend sa larg është Noli nga ide të tilla.