Për të katërtën ditë me radhë, Kryeministri i Rama vijon të shpërndajë ftesa ‘dialogu’ para Kryeminsitrisë nëpër blloqe betoni, të cilat për tre ditë rresht janë refuzuar nga studentët dhe pedagogët protestues.
Në daljen e tij të radhës të mëngjesit të sotëm, Rama ka vijuar sulmet e tij ndaj fëmijëve, të miturve dhe studentëve shqiptarë, duke i konsideruar si pjesë e ‘ANTIFA’-s.
Monologu i Kryeministrit Rama:
Përsëri e përsëri e përsëri, ftesa për dialog dhe gatishmëria për të të qënë me këdo që kërkon dhe beson në dialog, është këtu. Jam i gatshëm kudoqoftë, në çdo vend dhe në çdo orë me ata që besojnë se Shqipëria duhet bërë më e mirë dhe Shqipëria bëhet më e mirë me njerëzillëk, me shkëmbim dhe ballafaqim pikëpamjesh sado të kundërta. Kundërshtia e dhunshme kundërshtia me forcë kundërshtia që bie ndesh me fillin e arsyes, nuk i imponohet dot domosdoshmërisë për dialog, për ballafaqim pikëpamjesh sado të kundërta dhe për bashkëjetesë demokratike, në një vend ku e kaluara nuk ka asnjë shans që të kthehet, dhe kushdo që e mori peng kryeqytetin duke eksportuar këtu terrorin e ANTIFA-s dhe duke bërë këtu lojën e te tjerëve në emër të studentëve dhe duke u vënë në ballë të studentëve përmes fytyrës së mbuluar, duhet ta dije se do të përgjigjet, do të përgjigjet ligjërisht, penalisht, sipas shkallës së shkeljes së bërë, sipas shkallës së keqkuptimit të madh. Keqkuptim i madh ky që të mendosh se mund t’i imponohesh një populli te tërë, një komuniteti të tërë, mund t’i imponohesh familjeve të zakonshme të këtij vendi që duan të shkojnë në punë, me gjuhën e gurit dhe të zjarrit. Keqkuptim shumë i madh që do të kthehet në mësim shumë të rëndësishëm për këdo që besoi se përmes këtij keqkuptimi do të ndryshonte rrugën e Shqipërisë. Rruga e Shqipërisë nuk ndryshon, Shqipëria do të qëndroi drejt dhe do të çojë atje në majën e ëndërruar, flamurin e Ismail Qemalit dhe Skënderbeut dhe Shqipëria do të jetë pjesë e BE që nuk e pengojnë dot forcat që janë përfshirë në këtë zullum të madh.

