A duhet t’i dërgoni fëmijët tuaj në shkollë private? Si rrugë të shkurtra drejt universiteteve elitare, shkollat amerikane funksionojnë më mirë se ato britanike, shkruan The Economist
Kolegji Eton mburret se ka arsimuar më shumë se një të tretën e 57 kryeministrave të Britanisë, gjatë 583 viteve të ekzistencës. Më pak mbresëlënës është fakti se numri i nxënësve të tij, që pranohen në universitetet Oxford ose Cambridge, ra me më shumë se gjysmën midis vitit 2014 dhe vitit shkollor 2021-2022.
Disa prindër zgjedhin shkolla private, me shpresën se fëmijët e tyre do të jenë më të përqendruar dhe nuk do të ngacmohen nga shokët e klasës.
Të tjerë mendojnë se këto institucione do t’u ofrojnë fëmijëve arsim më të mirë, me nota më të larta dhe një vend të garantuar në një universitet të njohur. Por rritja e kostove dhe ndryshimi i politikave të pranimeve në universitete, po nxisin diskutimin nëse ia vlen diplomimi në institucione të tilla.
Në shumë vende të pasura, shkollimi tradicional privat është në rënie. Në 30 anëtarë të OECD-së, një klub i vendeve kryesisht të pasura, përqindja e fëmijëve në shkolla që marrin më pak se gjysmën e financimit nga qeveria, ra nga rreth 8% në vitin 2000, në rreth 5% në 2018.
Shkollat private në Britani dhe Amerikë kanë ecur më mirë dhe debati mbi to mbetet tejet i ngarkuar politikisht në të dyja vendet.
Provat e fundit tregojnë se për shumicën e fëmijëve të shkollave private në Britani dhe për ata që studiojnë në institucione private elitare në Amerikë, përparësitë e një arsimi të shtrenjtë mbeten të forta.
Përfitimet janë ndoshta më të mëdha në Amerikë se sa në Britani, të paktën për nxënësit në shkollat private më të shtrenjta. Kjo për shkak se të diplomuarit vazhdojnë të gëzojnë qasje në universitetet më të mira, me ritme që do të shkaktonin zemërim publik në
Mbretërinë e Bashkuar. Kjo mund të habisë këdo që hamendëson se shoqëria amerikane e ka më pak të theksuar ndarjen e klasave se shoqëria britanike.
Shkollat private në Britani arsimojnë rreth 6.5% të fëmijëve, afërsisht po aq sa në vitet 1960. Shkollat private të Amerikës shkollojnë rreth 9% të fëmijëve, një pjesë që ka mbetur e qëndrueshme për një dekadë, deri në kohën e pandemisë Covid-19.
Në Amerikë, rreth 75% e nxënësve në shkolla private, shkojnë në institucione me përkatësi fetare (një pjesë e madhe e të cilave funksionon me tarifa që janë të ngjashme me shkollat shtetërore).
Por Amerika ka gjithashtu një nëngrup ekskluziv shkollash, të quajtura shkolla “të pavarura”, të cilat imitojnë ato me tarifa në Britani. Këto arsimojnë më pak se 2% të të rinjve amerikanë.
Kostot në Britani janë ndër më të lartat në botë. Një familje britanike duhet të paguajë më shumë se 16,000 £ (20,000 dollarë) në vit për të arsimuar një fëmijë në një shkollë private.
Kjo është sa trefishi i asaj që duhej paguar në vitet 1980 dhe është sa rreth gjysma e të ardhurave mesatare të familjeve në Britani, ndërsa dikur ishte një e pesta.
Tarifat në Amerikë janë mesatarisht më të ulëta, por gjithashtu janë rritur me 60% në dekadën e parë të këtij shekulli, sipas të dhënave më të fundit të qeverisë. Shkollat me çmimet më të kripura u faturojnë prindërve mesatarisht 28,000 dollarë çdo vit për një nxënës.
Matja e përfitimeve që rrjedhin nga këto shpenzime ka rëndësi, si për kritikët e shkollimit privat, të cilët i akuzojnë shkollat luksoze për ruajtjen e një sistemi elitar, edhe për ata që paguajnë për to.
Në një pamje të parë, përfitimet janë të qarta: në të gjitha shtetet e pasura, nxënësit e arsimuar në shkolla private, dalin më mirë në provime, shkojnë në universitete më të mira dhe pastaj marrin punë me paga më të larta.
Por një pjesë e këtij suksesi, rrjedh nga përparësi të jashtme që nuk kanë lidhje me shkollën, si prindër të pasur, përkrahës ose inteligjentë. Për të kuptuar përfitimet e arsimit privat, duhen krahasuar edhe rrethanat e nxënësve me ato të bashkëmoshatarëve të tyre në shkollat shtetërore. Ky lloj hulumtimi është më i lehtë për t’u bërë në Britani.
Llogaritjet
Kur mbushin 25 vjeç, britanikët me arsim privat, fitojnë 17% më shumë se punonjësit e tjerë, sipas një studimi të vitit 2015. Hendeku i pagës zgjerohet deri në moshën 42-vjeçare, në rreth 21% për gratë dhe 35% për meshkujt.
Pjesërisht kjo është për shkak se njerëzit e shkolluar në institucione private kanë më shumë gjasa të hyjnë në profesione me të ardhura të larta, si financat. Rrjetet shoqërore dhe profesionale mund të ndihmojnë në këtë drejtim, por trysnia e bashkëmoshatarëve dhe pritshmëritë e prindërve, ndoshta luajnë gjithashtu rol të madh.
Një arsye edhe më e rëndësishme për të ardhurat më të larta është se nxënësit në shkollat private, marrin kualifikime akademike më të shumta dhe më të mira se të tjerët. Ata fillimisht kanë përparësi “modeste” në rezultatet e provimeve në krahasim me nxënësit e tjerë të regjistruar në shkolla publike, thotë Francis Green në University College London.
Por kjo përparësi rritet ngadalë me çdo vit shtesë që ata kalojnë në një shkollë private. Një studim zbulon se përparësia që këta nxënës gëzojnë deri në moshën 18-vjeçare, është afërsisht e barabartë me kalimin nga notat AAB, në AAA (në Angli, në fund të vitit shkollor, nxënësit duhet të kryejnë provime përfundimtare në tri lëndë).
Por edhe një rritje modeste e rezultateve mund të ketë efekt të madh në sasinë e fitimeve shtesë gjatë karrierës. Kjo për shkak se notat më të mira mund t’i siguronin një nxënësi një vend në një universitet më prestigjioz. Në vitin 2021, më shumë se gjysma e nxënësve të arsimuar në institucione private, që nisën shkollën e lartë në Britani, ndoqën një nga 24 universitetet e “Grupit Russell” (një klub që përfshin shumicën e universiteteve më të mira).
Nxënës të tillë kanë më shumë gjasa t’i kalojnë vitet e shkollës duke studiuar lëndë të vështira, që kërkohen në aplikime nga universitetet më përzgjedhëse. Ata gjithashtu kanë më shumë gjasa të marrin ndihmë shtesë për intervistat dhe provimet e pranimit.
Nxënësve të shkolluar në institucione private nuk u jepet më aq përparësi e padrejtë nga universitetet sa dikur. Ata përbëjnë rreth 18% të të gjithë nxënësve të moshës 16-19 vjeç në Angli, si dhe rreth 25% të të gjithë atyre me nota të larta në provimet e maturës. Vitin e kaluar, ata përbënin 20% të studentëve të rinj të diplomuar në universitetet e Grupit Russell.
Në vitin 2016, rreth 6% e të gjithë nxënësve të shkollave private që nisën studimet e larta në Britani, u pranuan në universitetet Oxford ose Cambridge; që atëherë, kjo përqindje ka rënë në rreth 4% (por është rreth 2% për nxënësit në shkollat shtetërore).
Vitin e kaluar, nxënësit e shkollave private, përbënin 32% dhe 27% të studentëve të rinj britanikë në Oxford dhe Cambridge, nga 43% dhe 39% një dekadë më parë.
Ky ndryshim ka tronditur një pjesë të shkollave private elitare, të cilat dikur dërgonin një mori nxënësish në këto dy universitete.
Dallimi i përfitimeve të arsimit privat në Amerikë është i vështirë, sepse shkollat e saj janë më të larmishme se ato të Britanisë.
Meqenëse feja ndalohet në shkollat shtetërore, shumë prindër zgjedhin klasa private për arsye të tjera që nuk kanë të bëjnë me rezultatet akademike.
Në përgjithësi, provat që tregojnë se të arsimuarit në shkollat private të Amerikës mësojnë më shumë se sa do të mësonin në shkolla shtetërore, nuk janë aq të sigurta sa në Britani.
Një studim i botuar në vitin 2018 nga dy akademikë në Universitetin Virginia, Robert Pianta dhe Arya Ansari, analizoi rezultatet e provimeve të 1000 fëmijëve që kanë lindur në vitet 1990. Ai zbuloi se në moshën 15-vjeçare, ata që studionin në shkollat private amerikane, nuk po merrnin nota më të mira.
Megjithatë, nuk ka shumë kërkime cilësore, që veçojnë përfitimet shtesë të fëmijëve të pasur që studiojnë në shkollat “e pavarura” të Amerikës. Por është e arsyeshme të mendohet se ato rrisin perspektivat e një fëmije, të paktën po aq sa kushërinjtë e tyre britanikë.
Universitetet e Amerikës i mirëpresin krahëhapur nxënësit nga shkollat prestigjioze. Në vitin 2021, James Murphy nga Education Reform Now, një institut kërkimor në Washington, grumbulloi të dhëna nga 35 universitetet dhe kolegjet më të mira të arteve liberale në Amerikë.
Ai zbuloi se mesatarisht, rreth 34% e studentëve të tyre, e kishin përfunduar arsimin e mesëm në gjimnaze private (shih grafikun). Kjo është befasuese duke qenë se sektori privat edukon vetëm 8.5% të gjimnazistëve amerikanë.
Nxënësit e shkollave “të pavarura”, kanë shanse shumë më të larta për pranim. Të dhënat më të fundit tregojnë se ata përbënin rreth një të tretën e studentëve të rinj në Universitetin Dartmouth dhe më shumë se një të katërtën në Universitetin Princeton.
Një faktor mund të jetë edhe përparësia e “trashëgimisë”, ku të afërmit e të diplomuarve janë një hap përpara në procesin e pranimit në këto universitete. Kjo padrejtësi nuk ndodh në universitetet britanike.
Lëndinat e gjelbra dhe monedhat e gjelbra
Paratë janë gjithashtu një faktor. Ndërsa universitetet angleze i ngarkojnë çdo studenti vendas të njëjtat tarifa shkollimi (megjithëse ata që vijnë nga jashtë paguajnë më shumë), universitetet më të mira amerikane, e ndryshojnë koston sipas mjeteve.
Kjo u mundëson nxënësve të shkëlqyer me prejardhje të varfër, që të studiojnë në këto universitete falas ose me kosto shumë të ulëta. Por gjithashtu edhe universitetet përfitojnë se furnizohen me nxënës të zgjuar.
Ndërsa në Britani, ku nuk ekziston ky rregull, shumë nxënës të arsimuar në shkollat private shkojnë për studime jashtë shtetit. Vitin e kaluar, rreth 6% e studentëve zgjodhën të studionin jashtë vendit, nga 4% në vitin 2016.
Amerika është vendi më popullor. Universitetet e saj kërkojnë nota të larta, thotë Barnaby Lenon nga Këshilli i Pavarur i Shkollave. Por ai shton se ata gjithashtu vlerësojnë arritjet joakademike, si ato të marra nëpërmjet veprimtarive jashtëshkollore që i ofrojnë shumë shkolla private.
Përparësia që gëzojnë nxënësit e shkollave private diskutohet shumë më pak në Amerikë se sa në Britani, pjesërisht për shkak se janë çështjet e racës, dhe jo të shtresës shoqërore, ato që zakonisht bëhen qendra e debateve mbi pranimet në universitete.
Betejat politike që kanë shpërthyer mbi mësimin e racës, seksit dhe historisë, janë pozitive për institucionet private, sepse shtetet po zgjedhin të investojnë para në programet private të “zgjedhjes së shkollës”.
I tillë është rregulli që qeveritë lokale të paguajnë për disa vende në shkollat private (zakonisht vetëm për fëmijët e varfër dhe në institucionet private më të lira).
Megjithatë, Amerika mund të jetë në prag të ndryshimit. Vendimet që do të merren nga Gjykata e Lartë, mund të ndalojnë përdorimin e veprimit afirmativ në pranimet në universitete.
Dhe nëse kolegjet dhe universitetet nuk mund të nxisin më aplikantët nga grupet e pakicave të nënpërfaqësuara, përparësitë që gëzojnë nxënësit më të pasur, mund të shqyrtohen në mënyrë më të rreptë. Edhe shkollat private në Britani, përballen me një të ardhme të pasigurt.
Partia Laburiste, e cila duket se do të marrë pushtetin në zgjedhjet e ardhshme pas 18 muajsh, ka diskutuar mbi heqjen e statusit të bamirësisë së shkollave private dhe heqjen e lehtësimeve tatimore për to.
Kjo mund të shkaktojë rritje të tarifave të shkollimit. Ndërkohë, shtigjet për në Oxford dhe Cambridge, do të vazhdojnë të ngushtohen. Mesa duket, do të rritet numri i britanikëve që shkojnë për të studiuar përtej Atlantikut.
Përktheu: Lira Muça
Monitor.al