***
Të duash ty,
do të thotë të duash çmendurinë,
grimcën e lirisë shpërhapur në mijëra forma,
ku përmbajtja të mbyt në ëndrra.
Të duash ty,
duke të parë sytë e përxhamur e të mjegulluar,
është si një përrallë,
që duke u puthur hundësh,
humbasim si dy fëmijë…
Eja, dua të luajmë prapë!
Zhaneta Barxhaj
***
Rrashtës së gjoksit,
dy poçe balte mbirë,
hedhin rrënjë duke shqyer ashtin.
Me dashuri mbushet njëra
urrejtjen tjetra mbledh,
pikë- pikë si kulloshtër gjaku
me thimkat e errët mëkojnë.
Latërzyhen mbi rrashtë,
e nuk dimë,
po pimë urrejtjen apo dashurinë?!
Zh.Barxhaj
***
Burri fajësoi gruan,
gruaja zvarranikun,
zvarraniku të zotin.
I zoti turfulloi nga inati
dhe i dënoi pagjyq.
Tash e mijëra vjet,
ithtarët ndjekin shembullin e tij.
Zhaneta Barxhaj