Para disa javësh, në një darkë mes kolegësh në Gjermani, një prej nesh pyeti homologun gjerman se ç’mendim kishte për shqiptarët.
Me ndjesi absolute superioriteti,që i lexohej lehtë, pa u menduar dy herë e tepër ftohtë u përgjigj shkurt dhe qartë : “ They exist!” (Ata ekzistojnë!)
M’u kujtua Konica atë çast:
“Ma shanë atdheun,
ma shanë nga nëna,
në një bar mbushur me të bardhë e negër,
shtrëngova dhëmbët mos më çahej zemra…
e mbi ta të lëshohsha si bishë e egër.”
Sigurisht, pati shkëmbim argumentash aty për aty, por patjetër që shtrënguam dhëmbët deri në fund.
Këtë të Hënë, jo fare rastësisht, përgjigjia e tij m’u kthye sërish në mendime.
Këtë të Hënë, m‘u kujtua sërish, sepse të Dielën me votë m‘u duk se ligjitimuam përgjigjen e tij.
I kisha mbajtur dhëmbët shtrënguar prej asaj dite, të Hënën i lirova.
Ç’përpjekje e tepërt t’i bëjmë të mendojnë ndryshe, kur ne vet kërkojmë e kemi veç ekzistencë!
Ne, pasardhësit e Ilirëve, krenarë e trima të Ballkanit, kemi humbur dinjitetin, e këtë nuk na e thonë të tjerët, këtë ne e ligjitimojmë vet, me vullnet të lirë a të shitur.
E Diela që lam pas rikonfirmojë se na kanë deformuar lirinë për të ëndërruar përtej ekzistencës.
Kush në histori pati kaq fuqi sa të deformonte deri këtu lirinë për të ëndërruar?
Kush në histori pati kaq fuqi sa të na bënte të besojmë se ekzistenca është mjaftueshëm?
Kush në histori pati fuqi mbi plot-fuqinë e gjithë popullit?
Ne kemi shitur fuqinë e lirinë, por vuajmë nga simptomat e krenarisë së pabazuar.
Ne ligjitimuam me votë se as mundemi e as duam të ëndërrojmë, se as kemi e as duam liri, as kemi e as duam dinjitet.
Ne ligjitimuam me votë se kemi e kërkojmë veç ekzistencë, ndaj të Hënën mu kujtua sërish kolegu im gjerman me përgjigjen e tij, por sërish pas tij dhe Konica kur tha:
“Shqipëri të kam dhj***, s’të kuptova asnjëherë!”

