Kryetari PD, Sali Berisha tha se, opozita dëshmoi se është e paasgjësueshme, 500 mijë qytetarë votuan për të. Berisha tha se, në kundërshtim me çdo lloj parimi dhe ligji, PD-ja, forca kryesore opozitare u fut në zgjedhje pa logo dhe emri i kryetarit të koalicionit u refuzua në mënyrën më staliniste.
“Cila është e vërteta? Një përpjekje antiligjore, antikushtetuese për të asgjësuar me çdo kusht opozitën e vërtetë.
Kjo është fakt. Kjo është ndërhyrje direkte në fushatë, kjo nuk është shpikje e imja, ky është një realitet.
Në kundërshtim me çdo lloj parimi dhe ligji, PD-ja, forca kryesore opozitare u fut në zgjedhje pa logo dhe emri i kryetarit të koalicionit u refuzua në mënyrën më staliniste.
Të gjitha këto kishin për qëllim zhdukjen e opozitës.
Tani procesi ka mbaruar. Çfarë ndodhi? 500 mijë shqiptarë votuan opozitën.
Dështuan të gjithë ata, vendas dhe të huaj, që donin të zhduknin opozitën.
Opozita dëshmoi se është e paasgjësueshme. Opozita është në këmbë, e vendosur të qëndrojë më fuqishëm se kurrë për interesat e shqiptarëve.
Së dyti, kemi një statut partie, se ka njerëz që keqkuptojnë. Përdorin dy lloje mashtrimi, tezash. Ai statut do zbatohet pikë për pikë. Unë jam ky që jam sot këtu.
Në verën e vitit 1991 kam bërë një betim, që zgjedhjet e para të lira që do humbas, unë largohem nga politika.
Unë nuk tërhiqem përpara krimit monstruoz elektoral. Vetëm sa më shtojnë motivet.
Por anëtarët e PD, në përputhje me statutin, do ftohen. Ata që rrinë nëpër ekrane, ata rrahin ujë në hava”, tha Berisha.