Kryetari i PD, Sali Berisha zhvilloi sot takimin elektoral përmbyllës në Malësinë e Madhe në mbështetje të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Isa Ramaj.
Gjatë fjalës së tij Berisha tha se, Malësia e ka marrë vendimin e saj për të votuar drejtimin e duhur, dhe se Tonini bashkë me Toninët e tjerë do shkojnë me Edi Ramën atje ku e meritojnë.
Lideri i opozitës, Sali Berisha theksoi se, Edi Rama po përpiqet të mbjellë përçarje fetare me injorancë, 14 maji është dita e ndarjes me regjimin që përzuri me përçmim mbi 1 milion shqiptarë. Berisha tha se, nuk ka pasur asnjë qeveritar që të ketë vendosur një tirani varfërie me kaq shpejtësi mbi shqiptarët, sa Edi Rama.
I shqetësuar për përdorimin e fjalorit banal të kryeministrit Rama, Berisha tha se ai po e përdor këtë gjuhë për të mos dhënë asnjë llogari te qytetarët, por t’i mbulojë gjurmët e vjedhjeve të tij me togfjalësh banal dhe me fjalime që përbajnë vetëm 4 fjali.
Kryetari i PD, Sali Berisha ftoi të gjithë qytetarët që 14 majin ta shndërrojnë në festën e fitores për ta përzenë njëherë e mirë këtë regjim që iu ka mohur çdo të drejtë dhe liri.