Sot është dita e themelimit të PD, Berat. Duke qenë njëri prej tyre, kandidat për deputet në zgjedhjet e para pluraliste, s’ka se si të mos kujtojmë sot ëndrrat tona për një Shqipëri tjetër, diskutimet tërë pathos e romantizëm. Sot, pas 30 e kusur vitesh, themi se Shqipëria nuk i bë ajo që donim, por ajo nuk është më ajo e viteve 90: janë hapur kufijtë, ekziston liria e fjalës dhe ekonomia e tregut. Dhe këto janë gjëra mjaft të mëdha.
Në këtë përvjetor kujtoj shumë nga miqtë dhe shokët sypatrembur e besimplotë për rrëzimin e regjimit. Sot është e lehtë të ligjërosh për këto të drejta, por atëhere kishe të bëje me një polici besnike ndaj diktaturës dhe veçanërisht me sigurimin e shtetit, çdo antar i të cilit vinte kokën nën satër për Enver Hoxhën.
Nderim të jashtëzakonshëm për grupin themelues (emrat janë të shumtë dhe s’mund t’i përmendim dot në këtë shkrim), por veçanërisht për kryetarin dhe sekretarin e parë Fehmi Telegrafi dhe Simon Vrushon, të cilët nuk jetojnë më. Duke i njohur nga afër kam pasur rastin të shikoja te ta cilësira të rralla, si: fryma e protagonizmit, aftësia për të propaganduar ide dhe mendime, besimi absolut në atë që thoshnin e mendonin, trimëria për t’i ndënjur të keqes përballë.
Sidoqoftë, ndonëse prirja ime nuk ishte dhe nuk është për t’u marrë me politikë, ndihem i privilegjuar nga fati që isha pjesëtar në atë periudhë përmbysjeje.

