“…Çdo brezni beson se i është ngarkuar detyra e ribërjes së botës.
Breznia ime nuk mendoj se e ka këtë detyrë.
Detyra e brezit tim ndoshta është më e vështirë.
Ajo konsiston në pengimin e shkatërrimit të botës…,” shkruan Alber Kamy.
Në kontekstin shqiptar nuk ka sesi të jetë më evidente.
Jemi në 2023 e çdo shqiptar ka mundësi ta shohë, çmojë shkatërrimin binarëve të kasolles sonë të brishtë.
Përveç gjendjes së prekshme të vendit, duhet lexuar e gjithashtu vlerësuar se ç’thuhet në shifra nga opinioni demokratik botëror për Shqipërinë e shqiptarët dhe parashikimet, perfshirë këtu edhe demo-amerikanët.
Çdo shqiptar me apo pa ngjyrime e paragjykime politike ka mundësi të analizojë dhe identifikojë edhe keqbërësit.
Banda bolshevike e Kongresit të Përmetit qeverisi 48 vjet duke përsëritur premtimin për “kopsht me lule buzë Adriatikut” mbasi i shpronësoi e shtypi qytetarët, rrënoi ekonominë, burgosi e pushkatoi më shumë se gjithë pushtuesit bashkë, çoi shqiptarët në zinë e bukës pastaj i hodhi jo si “lule” në Adriatik, po si gjysëm kufoma të uritura.
Po kjo bandë bolshevike, (si rastësisht) qeveris dhe 22 vjet prej 32 viteve të tranzicionit.
Dhe prej 10 vitesh po kjo bandë ish bolshevike (e rigjeneruar) me të njejtat premtime vazhdon shkatërrimin e tjetërsimin e çdo vlere morale, konstitucionale e institucionale, materiale e kulturore të kujtesës kolektive, familjes e shoqërisë si dhe zbrazjen e Shqipërisë me ritme të frikshme nga shqiptarët.
Brezi i sotëm i shqiptarëve me sa duket ka detyrën e zorshme, mjaft të zorshme, po jo të pamundur të pengojnë shkatërrimin e mëtejshëm të Shqipërisë.
Jo të pamundur, sepse e ka të identifikuar e me prova historike, logjike, politike e dokumentare bandën barbare të persekutorëve që gremisin Shqipërinë e shqiptarët drejt zhdukjes.
Mungesa e rezistencës ose rezistenca pasive si komb na ka kushtuar jo një herë duke na çuar në zgrip të ekzistencës, sa po të mos na i kujtonte diaspora simbolikat tona kishim harruar edhe se qemë shqiptar.
Sot nuk jemi në ato kushte, por mbrojtja e botës shqiptare nga shkatërrimi i mëtejshem kërkon rezistencë, jo më pasive.
Pengimi i shkatërrimit të mëtejshëm të Shqipërisë mbetet detyrë, sado qoftë e veshtirë.

